Lidhje

Takime SHBA - Rusi për Sirinë


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara po theksojnë rreziqet e mbështetjes së regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad nga Rusia. Komentet u bënë dje pasi Sekretari i Shtetit, John Kerry, diskutoi me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, rreth shtimit të pranisë ushtarake ruse në Siri, ndërkohë që sot do të zhvillohet takimi ndërmjet Presidentit Obama dhe Presidentit rus Putin.

Shtetet e Bashkuara thonë se është e tepër e rëndësishme që të koordinohen përpjekjet ndërkombëtare në reagim të konfliktit në Siri.

“Ky është fillimi i përpjekjeve të mirëfillta për të gjetur mënyrën më të efektshme për zbutjen e konfliktit.”

Takimi i Sekretarit Kerry dhe Ministrit rus Lavrov gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së synoi qartësimin e rolit të Rusisë në Siri.

Rusia ka dërguar në Siri avionë dhe paisje luftarake si një mënyrë mbështetjeje për regjimin e Assadit, në kundërshtim me pozicionin e Shteteteve të Bashkuara që kërkojnë dorëheqjen e tij pas humbjes së legjitimitetit. Fysal Itani është me Këshillin e Atlantikut.

“Kjo është mënyra e Rusisë për të thënë që tashmë ka më shumë peshë në trajektoren e këtij konflikti.”

Në një intervistë, udhëheqësi rus tha se mbështetja amerikane për opozitën e moderuar të Sirisë është e paligjshme.

“Për mendimin tim, mbështetja ushtarake për këto struktura të paligjshme është kundër parimeve të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Ne mbështesim vetëm struktura të ligjshme shtetërore.”

Zoti Putin dhe Presidenti Obama takohen sot për herë të parë pas rreth një viti. SHBA kërkon të qartësohet pozicioni i Rusisë në Siri, thotë Perry Cammack me Fondacionin Carnegie.

“Nuk pres ndonjë arritje dramatike, por shpresoj që të jetë fillimi i një proçesi, fillimi i një dialogu dhe jo fundi.”

Analistët thonë se synimi kryesor i Rusisë është të mbrojë pasuritë e saj në Siri, ndërkohë që qeveria e Assadit lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe kundër opozitës së moderuar siriane.

XS
SM
MD
LG