Lidhje

Debati për financimin e qeverisë amerikane


Njoftimi për dorëheqje i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanit John Boehner ka shtuar paqartësitë në Kongresin amerikan ndërkohë që organi legjislativ deri të mërkurën në mesnatë duhet të miratojë buxhetin për vitin e ri financiar që fillon më 1 tetor. Korreposndenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, njofton se ekziston një shteg i ngushtë për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale, por ai do të kërkonte një bashkëpunim mes republikanëve dhe demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit dhe disiplinë për ta realizuar këtë brenda një kohe të shkurtër.

Ndërkohë që po njoftonte largimin e tij në fund të tetorit, kryetari Boehner pranoi vështirësitë që e presin deri atëhere.

"Ka shumë punë për t’u bërë dhe unë dua të punoj shumë para largimit tim".

Javën e kaluar, demokratët në senat bllokuan një projektligjin për buxhetin, i cili kërkonte ndërprerjen e fondeve për një organizatë të planifikimit familjar. Financimi i saj është në qendër të mosmarrëveshjeve buxhetore.Sot pritet që Kongresi të fillojë një seri votimesh për një ligj të përkohshme të financimit të qeverisë deri në dhjetor. Senatori republikan Mitch McConnell:

"U bëj thirrje kolegëve të mi të mbështesin ligjin që unë do ta paraqesë, i cili do ta mbante qeverinë të hapur".

Në qoftë se ligji mbërrin tek presidenti Obama deri të mërkurën, mbyllja e qeverisë do të shmangej. Por veprimi i kongresit mund të ngadalësohet nga republikanët e vijës së ashpër të vendosur për të vazhduar luftën e tyre fiskale, duke përfshirë edhe senatorin Ted Cruz, i cili është kandidat për president.

"Njerëzit janë ngopur me Uashingtonin, ato janë ngopur me politikanët që thonë një gjë dhe bëjnë një gjë tjetër."

Projektligji aktual i shpenzimeve i ka ndarë republikanët, por ai mbështetet nga demokratët. Senatori demokrat Jack Redd:

"Mbyllja e qeverisë do të ishte një shpërdorim i parave të taksapaguesve dhe do të dëmtonte ekonominë".

"Kalendari që Kongresi dhe presidenti përdorin për miratimin e fondeve është i njëjtë çdo vit. Nuk ka afate të reja", thotë Molly Reynolds me Institutin Brookings.

Analistët theksojnë se Kongresi është polarizuar si asnjëherë më parë, dhe kjo do të nxisë debate të ashpra mbi shpenzimet.

"Çdo përpjekje që thekson dallimet mes palëve para votuesve në skenën kombëtare është bërë gjithnjë e më tërheqës ndërkohë që ndarjet mes grupimeve politike vazhdojnë të thellohen".

Votimi përfundimtar në senat për ligjin mbi shpenzimet mund të mos ndodhë deri të mërkurën, duke i dhënë zotit Boehner vetëm disa orë për ta shqyrtuar dhe hedhur atë për votim në Dhomën e Përfaqësusve të përfshirë nga përçarjet dhe pakënaqësitë.

XS
SM
MD
LG