Lidhje

Ofensivë e talebanëve në Kunduz


Ka njoftime për përleshje të reja në qytetin verior të Kunduzit, ku forcat e sigurisë kanë filluar përpjekjet për të marrë kontrollin e qytetit nga talebanët. Një deklaratë e ministrisë afgane të mbrojtjes thotë se trupat kanë rimarrë selinë e komandës së policisë dhe burgun e qytetit, ndërsa NATO thotë se ushtria amerikane ka kryer një sulm ajror në zonë për të eliminuar kërcënimet ndaj forcave aleate përreth Kunduzit.

Ofensiva e djeshme e talebanëve shënon të parën herë që kryengritësit marrin një qytet të rëndësishëm që pas rrëzimit nga pushteti në 2001.

Kryengritësit ngritën flamurin taleban mbi qytet dhe liruan rreth 500 të burgosur që mbaheshin në burgun qendror.

Sot, një zëdhënës i talebanëve tha se trupat e tyre kanë zaptuar territor të ri, duke marrë dy distrikte në provincën fqinje të Takharit.

Gjenerali Murad Ali Murad, zëvendës shefi i ushtrisë afgane, tha në një konferencë për shtyp mbrëmë në Kabul se në zonë kishin mbërritur përforcime, të cilat kishin rrethuar qytetin.

“Kemi zhvilluar një takim emergjent për sigurinë. Për momentin jemi në kontroll të situatës në Kunduz dhe po përgatitemi ta ndryshojmë situatën. Brenda ditës së nesërme do të ketë ndryshime në situatën në qytet”.

Luftimet e djeshme lanë të vrarë ose të plagosur dhjetëra forca afgane të sigurisë, para se të tjerët të braktisnin qytetin. Gjenerali Murad i doli në mbrojtje tërheqjes së trupave si një lëvizje taktike, duke thënë se qeveria ka nën kontroll pjesën tjetër të distrikteve në provincë.

Rënia e Kunduzit shihet si një hap i rëndë prapa për forcat qeveritare, një ditë para një vjetorit të ardhjes në pushtet të qeverisë së unitetit të Presidentit Ashraf Ghani.

XS
SM
MD
LG