Lidhje

Shqipëri-Serbi, masa të forta sigurie


Ndeshja e së enjtes në Elbasan. Bllokime në asket rrugore ku do të kalojë kombëtarja serbe. Rama: Duhet të fitojë imazhi i Shqipërisë mikpritëse dhe europiane

Në Shqipëri policia ka marrë masa të rrepta për të garantuar sigurinë e ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet të enjten në mbrëmje në Elbasan mes përfaqësueses shqiptare dhe asaj serbe. Duke filluar nga dita e nesërme kur pritet të mbërrijë kombëtarja serbe, disa nga akset rrugore do të jenë të bllokuara, duke nisur që nga ajo që lidh aeroportin Nënë Tereza me qendrën e Tiranës, gjatë momentit të kalimit të autobusëve dhe mjeteve të lojtarëve dhe delegacionit serbë. Po ashtu e gjithë zona dhe rrugët që cojnë drejt hotelit ku do të qëndrojë kombëtarja serbe do të jenë të bllokuara, jo vetëm për trafikun por edhe për këmbësorët.

Ditën e ndeshjes, duke nisur nga mesdita, rruga kryesore që lidh kryeqytetin me Elbasanin do të jetë po ashtu e bllokuar, duke mbetur në dispozicion vetëm të transportit të palës serbe. Në qytetin e Elbasanit, akset qëndrore rrugore që lidhen me stadiumin do të jenë të ndaluara për automjetet. Edhe për tifozët do të ketë kontrolle të rrepta. Biletat janë elektronike dhe mbajnë dhe emrin e blerësit, që do të konfirmohet detyrimisht dhe nga paraqitja e kartës së identitetit. Mbi 1500 forca policore do të angazhohen për sigurinë.

Kjo është ndeshja e kthimit e vlefshme për eliminatoret e Europianit "Francë 2016", dhe për Shqipërinë një fitore do të ishte një biletë e sigurtë për kualifikim, për herë të parë në histori. Ndeshja e parë e zhvilluar në Beograd, tetorin e kaluar, u ndërpre në fund të pjesës së parë për shkak të fizhekzjarreve dhe sendeve të forta që u hodhën në fushë. Shfaqja në po ato momente e një droni me hartën e së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe coi në acarimin e situatës. Tifozë serbë hynë në fushë duke dhunuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Ngjarja u pasua dhe nga një tensionim politik, që coi në shkëmbime deklaratash të forta mes Tiranës dhe Beogradit. Korrikun e kaluar Gjykata e Arbitrazhit sportiv në Lozanë të Zvicrës i njohu Shqipërisë fitoren në tavolinë.

Ndonëse ekipi serb nuk ka asnjë shans për kualifikim, synimi, sic kanë deklaruar lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës, është të marrë një fitore në Elbasan. Për të dyja palët, përvec se një ndeshje futbolli, kjo është dhe një sfidë me një sfond nacionalist, edhe për shkak të së kaluarës së afërt mes shqiptarëve dhe serbëve.

Autoritetet e Tiranës po përsërisin vazhdimisht thirrjet që ndeshja e së enjtes të jetë vetëm një lojë që luhet në fushën e futbollit. Sot kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook theksonte: “Le të nderojmë traditën shqiptare dhe ambicien europiane, duke dhënë një provë bindëse se ky është vendi i të ardhmes jo fushëbeteja e të shkuarës”. Sipas kryeministrit “fitorja na çon direkt në Francë 2016. Barazimi është një tjetër hap drejt Europianit. Humbja lë gjithçka të hapur. Por mbi të gjitha, duhet të fitojë imazhi i Shqipërisë mikpritëse, dinjitoze, europiane, në një ndeshje futbolli ku e tërë bota perveç nesh, nuk do të shohë rezultatin e ndeshjes po mbarëvajtjen e takimit të kthimit në Shqipëri, një vit pas shpërthimit të dhunshëm në fushën e Beogradit”.

Për të ndjekur ndeshjen në stadium do të jetë vetëm një grup prej 70 të rinjsh serbë, si pjesë e projektit të përbashkët të rinisë që Tirana dhe Beogradi kanë ndërmarrë për të ushqyer miqësinë mes dy vendeve. Kryeministri Rama ka ftuar dhe homologun e tij serb Aleksandar Vucic, të jetë i pranishëm në stadium, por ky i fundit nuk ka konfirmuar ende praninë ose jo në Elbasan.

XS
SM
MD
LG