Lidhje

Gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës


Partitë opozitare bllokuan sërish punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Ambasada amerikane thotë se kjo nuk është demokraci

arlamenti i Kosovës u bllokua sërish të enjten nga deputetët e partive opozitare që hodhën edhe gaz lotsjellës, për të penguar punën e tij.

Në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje u tha se “gazi lotsjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër (Aleksandër) Jabllanoviqit. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne, por që nuk ka shpërthyer në ato protesta. Sot deputetët e përdorën atë bombolë".

Partitë opozitare që në fillim bllokuan punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të fundit me Serbinë.

Ata bllokuan foltoren e parlamentit dhe i fishkëllyen kryetarit të tij Kadri Veseli i cili tha se 30 deputetë të opozitës që po e pengojnë punën e 90 deputetëve tjerë. Ai i bëri thirrje opozitës që “në vend se të bllokojë parlamentin të shkojë para qeverisë dhe të protestojë, pasi që qeveria ka nënshkruar marrëveshjet dhe jo parlamenti”.

Mes fishkëllimave deputetët e shumicës parlamentare miratuan disa ligje.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, ndërsa po bojkotojnë edhe punën e komisioneve parlamentare në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë.

Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë, lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kjo e fundit u shndërrua në mollë sherri në skenën e brendshme politike. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës

Partitë në pushtet ndërkaq po i bëjnë thirrje opozitës të lejojë debatin në parlament, duke tërhequr vërejtjen se bllokimi i punës së tij është shembull i dëmshëm për të ardhmen.

Vëzhguesit e pavarur po bëjnë thirrje për një dialog të brendshëm politike për tejkalimin e situatës së krijuar.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisë dhe partive opozitare ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Jahjaga: Veprimet e opozitës – të papranueshme

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi veprimet që çuan në ndërprerjen e punës së parlamentit të Kosovës për të tretën javë me radhë.

Në një komunikatë të saj thuhet se “këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë”.

Presidentja Jahjaga fton deputetët “të distancohen nga dhuna, të respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare. Qytetarët e Kosovës presin nga të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të avancojnë proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t’i shndërrojnë ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Qeveria dënon veprimet e opozitës

Qeveria e Kosovës shprehu keqardhje për zhvillimet në seancën e parlamentit. Në një reagim të saj thuhet se “përkundër kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup i deputetëve opozitarë, megjithatë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, “të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së. Qeveria e Kosovës, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit”, thuhet në një reagim të qeverisë.

Ambasada amerikane dënon zhvillimet në parlament

Ambasada amerikane në Kosovë, dënoi dhunën e sotme në parlamentin e Kosovës. “Armët nuk kanë vend në parlamente. Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të parlamentit nga radhët e opozitës - e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të parlamentit si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, është tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës. Dhuna e sotme, së bashku me atë të tri javëve paraprake, i ka pamundësuar parlamentit që të përmbushë mandatin e vet për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është demokraci. Kjo është pengim i procesit demokratik. Sikurse që kemi bërë edhe në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara fuqimisht kërkojnë nga opozita që të heq dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në punën e rëndësishme të parlamentit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

BE: Veprimet në parlament – për keqardhje

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe zyrave të shteteve anëtare të BE-së, thanë se “veprimet e dhunshme në parlament janë për keqardhje. Derisa secili është i lirë që të shprehë mendimin dhe të mbrojë pozitën e tij, përdorimi i dhunës është i papranueshëm. Kjo nuk zgjidhë asnjë problem të Kosovës, mirëpo vetëm i rritë ato. Ne dënojmë veprimet e opozitës në parlament dhe u bëjmë thirrje që të respektojnë parimet themelore të demokracisë dhe të mundësojnë një debat të lirë dhe të hapur në parlament për të gjitha çështjet lidhur me Kosovën. Sjelljet e pamatura si kjo nuk kanë vend në një demokraci dhe është e papranueshme. Duhet të kuptohet se në një demokraci edhe opozita duhet të pajtohet me votën e shumicës. Ne jemi zotuar që të punojmë me institucionet e Kosovës dhe të mos pranojmë dhunën dhe thirrjet për dhunë si mjet politik legjitim”, thuhet në deklaratë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG