Lidhje

Johannes Hahn në Shkup


Johannes Hahn

Johannes Hahn

Komisioneri për politikat e fqinjësisë dhe zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ndodhet në Shkup për shkak të zvarritjeve të shumta nga ana e drejtuesve politikë të përcaktimeve që dalin nga marrëveshja e 2 qershorit.

Komisioneri i filloi takimet veç e veç me drejtuesit e partive më të mëdha në Maqedoni, për t’i bindur ata që t’u përmbahen afateve apo të përshpejtojnë miratimin e reformave të cilat dalin nga marrëveshja politike. Më pas pritet një takim i përbashkët i zyrtarit të lartë evropian me kryetarët e VMRO-DPMNE-së, Lidhjes Social Demokrate, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare.

Komisioneri evropian ende nuk është prononcuar në lidhje me rrjedhën e bisedimeve, ndërkohë që ndërmjetësi në grupet e punës së katër partive më të mëdha, Peter Van Houtte, i cili po e shoqëron z. Hahn u tha gazetarëve se po punohet natë e ditë për arritjen e një përparimi në bisedime.

Ndër çështjet të cilat po zvarriten, janë reformat e parashikuara në mjetet e informimit, në veçanti mbi mënyrën e funksionimit të radiotelevizionit publik dhe nuk është formuar as komisioni anketues i Parlamentit për trajtimin e skandalit të përgjimeve të bisedave telefonike. Ky komision duhej formuar që para një muaji.

Edhe me ekipin e Prokurores së posaçme ka probleme. Të hënën nuk u paraqitën shtatë prokurorët e ekipit të saj para Këshillit të Prokurorëve për të bërë betimin, për shkak se ky Këshill nuk i dha dritën jeshile edhe shtatë kandidatëve të tjerë të listës së prokurores së posaçmë Katica Janeva.

Deri më tash duhej të bëheshin ligjet kundër keqpërdorimit të atyre që në opinionin pubik njihen si “bomba” e që janë publikimet e përgjimeve telefonike, si dhe për marrjen në mbrojtje të denoncuesve.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka akuzuar Lidhjen Social Demokrate se me sjelljen e saj, sipas tij, të ketë detyruar vizitën e komisionerit Hahn. “Opozita ka bllokuar në mënyrë artficiale bisedimet mbi disa ligje të cilat mund të miratoheshin edhe pa praninë e Komsionerit Evropian”, u ka thënë zoti Gruevski mjeteve të informimit.

XS
SM
MD
LG