Lidhje

Protesta në Podgoricë


Në Podgoricë sot gjendja është e qetë pas protestave të mbrëmshme, në të cilat policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë aktivistët e opozitës. Aktivistët ishin mbledhur për të dytën ditë radhazi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë së Malit të Zi dhe për formimin e një qeverie të përkohëshme. Forca opozitare është zotuar të vazhdojë grumbullimet për të imponuar zgjedhje të parakohëshme dhe të shtunën priten protesta të reja.

Policia rrethoi dje ndërtesat qeveritare, përfshirë selinë e parlamentit dhe Kryeministrinë ku ka zyrat Kryeministri Millo Gjukanoviç, për të mos lejuar që protestuesit të afroheshin. Demonstruesit qëlluan me shishe policinë, e cila u përgjigj me gaz lotësjellës për të kontrolluar turmën. Policia njofton se ka arrestuar 15 protestues dhe se katër policë u lënduan gjatë trazirave.

Andrija Mandiç, një ndër udhëheqësit e Frontit Demokratik, i cili organizoi demonstratat, u bëri thirrje protestuesve të mos angazhoheshin në akte dhune. Ai tha se protestat do të vazhdojnë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre deri të shtunën:

“Nëse nuk formohet një qeveri e përkohëshme deri të shtunën dhe nuk largohet Gjukanoviçi, njerëz nga gjithë Mali i Zi do të mblidhen në Podgoricë”.

Partitë opozitare e akuzojnë qeverinë malazeze për sundim autoritar dhe për përdorim presioni për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.

Partia Demokratike e Socialistëve e Kryeministrit të vendit, Millo Gjukanoviç, ka akuzuar Frontin Demokratik se po përpiqet ta pengojë antarësimin e Malit të Zi në NATO.

Mali i Zi është kandidat për antarësim në Bashkimin Evropian dhe pritet që brenda këtij viti të marrë një ftesë për antarësim në NATO.

XS
SM
MD
LG