Lidhje

Debatet rreth çështjes CEZ

  • Armand Mero

Kryeministri Edi Rama përsëriti sot se do të kërkohet hetim me ekspertëizë ndërkombëtare për kontratën e ish qeverisë Berisha me CEZ-in. Opozita sulmon qeverinë për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës e këmbëngul për hetim ndërkombëtar

Në Shqipëri çështja e kompanisë ceke CEZ e cila për disa vite administroi kompaninë e shpërndarjes së energjisë, vazhdon të mbetet pjesë e debateve politike. Ajo duket se është kthyer më shumë pjesë e retorikës politike se sa një vullneti për të bërë dritë rreth saj. Aq më tepër kur nuk bëhet fjalë për një rast të zbuluar papritur. I njejti debat u zhvillua dhe një vit më parë kur në parlament kaloi marrëveshja e arritur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë ceke për një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes që kishte përfunduar në dyert e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Sërish sot kemi të majtën që akuzon kundërshtarët e vet politik për kontratën që u realizua me cekët në vitin 2009, dhe opozitën që drejton gishtin nga qeveria aktuale për marrëveshjen e arritur në 2014.

Kryeministri Edi Rama, iu rikthye kësaj teme në një takim të orgnizuar për të bërë bilancin njëvjetor të operacionit kundër vjedhjeve dhe abuzimeve në sektorin energjitik, duke deklaruar se kontrata e ish-qeverisë Berisha me CEZ-in ishte sipas tij një pazar i madh "dhe kur u prish pazari i madh, bëri gabimin e madh, fajin e madh, mëkatin e madh të ofensivës policore, duke e ekspozuar tërësisht shtetin shqiptar përballë privatizuesve dhe duke e dënuar shtetin shqiptar si palë humbëse në çdo lloj gjykate”, deklaroi zoti Rama.

Por për një pazar po të madh flet edhe kreu i opozitës Lulzim Basha duke ju referuar marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës me CEZ-in nga qeveria aktuale, e që sipas tij i ka kushtuar shtetit 600 milion euro.

Palët tani po këmbëngulin ne nevojën e një hetimi. Zoti Rama tha sot sërish se do kërkojë një hetim me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa mbrojti marrëveshjen e arritur nga qeveria e tij: “Eshtë një marrëveshje e cila u negociua jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, siç negocioheshin pazaret e faktuara me dokumente që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare dhe u negociua në zyrat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, me pjesëmarrjen e 15 personave nga pala shqiptare, dhe me çdo seancë të regjistruar”.

Ideja e qeverisë për hetim, dy vjet pasi ndodhet në pushtet, ngjan më tepër si një kundërpërgjigje ndaj opozitës, e cila gjithashtu këmbëngul për një hetim ndërkombëtar, dhe ka depozituar për këtë dhe një projektligj në parlament. “Hetimi i skemës më të madhe të korrupsionit, i aferës së CEZ është gur themeli për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e tij. Çdo ditë që kalon pa hedhur dritë e pa bërë transparencë, pa nxjerrë përgjegjësitë dhe pa i vënë para drejtësisë për 600 milionë euro që u janë marrë shqiptarëve, është një kthim pas. Nuk mundet që Edi Rama të vazhdojë të qeverisë vendin, kur e ka plaçkitur atë me 600 milionë euro. Nuk mundet Edi Rama të dalë para shqiptarëve, kur u ka marrë nga shtëpia e tyre, nga tavolina e bukës së tyre, nga ekonomia e tyre, nga e ardhmja e fëmijëve të tyre, 600 milionë euro. Zvarritja e qëllimshme është thellim i kësaj vjedhje”, u shpreh zoti Basha.

Mbi marrëveshjen e arritur nga qeveria dhe CEZ-i për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës javën e shkuar edhe Kontrolli i Lartë i shtetit paraqiti një padi në Prokurori pasi sipas tij ka patur një dëm prej 479 milion eurosh. Por dhe gjetjet e këtij institucioni u cilësuan si të pambështetura nga qeveria, e cila foli madje dhe për akuza me një prapavijë politike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG