Lidhje

Dëshmia e zonjës Clinton për ngjarjet në Benghazi


Congress Benghazi

Congress Benghazi

Kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton, mbrojti me forcën menaxhimin e saj të periudhës së sulmeve terroriste të vitit 2012 kundër misionit amerikan në Benghazi të Libisë. Kjo dëshmi vjen në një moment kritik për fushatën e saj presidenciale.

Hillary Clinton dëshmoi në Kongres në një moment të rëndësishëm në përpjekjet e saj për t’u bërë presidente.

“Besoj e kuptoni se ndoshta kam menduar më shumë rreth kësaj gjëje se sa të gjithë juve së bashku. Kam mbetur pa gjumë duke vrarë mendjen nëse duhet të kishim bërë diçka ndryshe.”

“Amerikanët mund ta përballojnë faktin se njerëz të mirë japin shpesh jetën e tyre për këtë vend. Nuk u pëlqen, por mbajnë zi dhe luten për familjet e tyre. Ajo çfarë amerikanët nuk durojnë dot është kur qeveria e tyre nuk është e sinqertë me ta.”

“Mendoj se aludimet tuaja dëmtojnë shumë punonjësit e Departamentit të Shtetit, komunitetit të shërbimeve të zbulimit, Departamentit të Mbrojtjes dhe Shtëpisë së Bardhë, të cilët punuan me përkushtim gjatë ditëve shumë të vështira.”

Republikani Lynn Westmoreland tha se zonja Clinton nuk kishte marrë parasysh kërcënime të mëparshme ndaj misionit amerikan në Benghazi.

“Nuk është çështja nëse kishit dijeni apo jo, por se çfarë veprimi ndërmorët. Për ne, përgjigja është: ‘asgjë’. “

“Ishim sigurisht të vetëdijshëm se situata në mbarë Libinë po bëhej më e rrezikshme, në veçanti pjesa lindore.”

Zonja Clinton tha se kërkesat për rritjen e masave të sigurisë nuk arritën kurrë tek ajo vetë, dhe se ishin menaxhuar nga ekspertët e sigurisë.

Kryetari i komitetit, Trey Gowdy, mbrojti punën e komitetit.

“Zonja Sekretare, e kuptoj se ka njerëz nga të dyja partitë që mendojnë se ky hetim është vetëm për juve. Ju siguroj se nuk është kështu, sepse ky hetim është për katër persona që u vranë ndërkohë që përfaqësonin vendin tonë në tokë të huaj.”

Demokrati Elijah Cummings thotë se vetë komentet e republikanëve tregojnë se kanë si objektiv zonjën Clinton.

“Çdo njeri i arsyeshëm e gjen të pamundur të mohojë se republikanët po abuzojnë me miliona dollarë të taksapaguesve për të prishur fushatën presidenciale të Sekretares Clinton.”

Seanca u përfshi nga lufta partiake.

Zonja Clinton dëshmoi një ditë pasi Zëvendëspresidenti Biden njoftoi se nuk do të hyjë në garë, duke e lënë kështu zonjën Clinton të udhëheqë garën e demokratëve.

XS
SM
MD
LG