Lidhje

Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi dënon dhunën në protesta


Përmes një komunikate, ambasada dënon shkatërrimin e pasurisë publike, duke përfshirë goditjen me gurë të ambasadës shqiptare në Podgoricë

Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi ka dënuar dhunën e shfaqur në protestat e mbrëmshme ku u lënduan qytetarë, policë dhe gazetarë. Përmes një komunikate, ambasada amerikane dënon shkatërrimin e pasurisë publike duke përfshirë këtu edhe ambasadën shqiptare në Podgoricë.

"Protestat e lira dhe të qeta janë themeli i demokracisë, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpëmbajtje dhe respektim të ligjit. Të gjitha dallimet politike duhet të zgjidhen përmes dialogut konstruktiv në kuadër të institucioneve parlamentare dhe jo në rrugë”, - thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Podgoricë.

Pas protestave të dhunshme të opozitës malazeze të dielën në Podgoricë situata është e qetë, por vërehen shenjat e dhunës: shkatërrimi dhe thyerjet e disa institucioneve dhe dyqaneve.

Policia malazeze ndërhyri të shtunën me gaz lotësjellës ndaj protestuesëve të opozitës malazeze, të cilët u përpoqën që të hyjnë me forcë në Parlamentin e vendit. Sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm, në këto përleshje u plagosën afro 30 protestues dhe 15 pjesëtarë të policisë. Po ashtu, u arrestuan liderët e opozitës Andrija Mandic dhe Slaven Radulovic, të cilët pritet të dalin para gjykatës së lartë të Podgoricës.

Gjatë zhvillimit të protestave mbrëmë u qëllua me gurë dhe ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin malazez. Ministria e Jashtme shqiptare reagoi, duke e dënuar sulmin. “I bëjmë thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së Ambasadës, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë”, - thuhej në deklaratën e Tiranës, ndërsa theksohej se “Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit".

Protestuesit mbrëmë kërkuan dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Milo Gjukanovic dhe formimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të kishte një përfshirje të gjerë të partive politike. Protestat e opozitës janë shkallëzuar në një kohë kur Mali i Zi mbetet kandidat për anëtarësim në BE dhe pritet që brenda vitit të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.

XS
SM
MD
LG