Lidhje

Kosovë-BE, Tirana “MSA-ja hap historik”


Autoritetet më të larta të Shqipërisë përshëndetën sot firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit europian

Autoritetet më të larta të Shqipërisë përshëndetën sot firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit europian. Presidenti Bujar Nishani pati një telefonatë me presidentet Ahtifete Jahjaga. Duke e uruar për marrëveshjen ai e cilësoi atë “një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”, u shpreh Kreu i Shtetit. Sipas tij “përfshirja institucionale e Kosovës në qasjen europiane nëpërmjet nënshkrimit të MSA është një lajm i shkëlqyer edhe për të gjithë rajonin tonë, për të ardhmen e përbashkët europiane si dhe për paqen, stabilitetin dhe ripajtimin në Ballkanin Perëndimor”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Hong Kong për të marrë pjesë në një forum biznesi, e konsideroi firmosjen e marrëveshjes “një zhvillim historik dhe një fakt kokëfortë për frytet e dialogut”, shkruan zoti Rama në një postim në Facebook. Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha po në facebook, shprhete se “Kosovo hodhi sot një hap historik dret anëtarësimit në BE. Nënshkrimi I MSA-së është një arritje madhore e shtetit dhe e qytetarëve të Kosovës dhe një investim i sigurtë për interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”.

Edhe Ministria e Jashtme, përmes një deklarate përshëndet marrëveshjen e cila sipas saj “është një hap i rëndësishëm ne bashkëpunimin Kosovë-BE. Ai konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës, arritjet e vendit në procesin e shtet-ndërtimit dhe në udhën drejt konsolidimit të demokracisë në vend”. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se “nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit do të jetë një nxitje për arritje të mëtejshme të Republikës së Kosovës në procesin e reformave te gjithanshme në vend si dhe për të përfituar edhe nga procesi i liberalizimit të vizave”, ndërsa nënvizon se “ vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian është një hap i rëndësishëm dhe një lajm i mirë për të gjitha vendet e rajonit, pasi çdo hap i Kosovës në drejtim të integrimit evropian, konsolidon paqen dhe stabilitetin në rajon, nxit politikat e bashkëpunimit rajonal dhe forcon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.

XS
SM
MD
LG