Lidhje

Debati i tretë i kandidatëve republikanë


 Republican Debate
Republican Debate

Kandidatët për president të Partisë Republikane zhvillojnë të mërkurën debatin e tyre të tretë. Donald Trump, i cili deri tani ka kryesuar anketat ka filluar të humbasë mbështetjen e mëparshme ndaj kanditatit tjetër repubkian, neurokirurgut në pension Ben Carson.

Katër anketa të kohëve të fundit, në shteti Iowa ku zhvillohen zgjedhjet e para mes kandidatëve, tregojnë se Ben Carson kryeson garën, me pak diferencë ndaj manjatit të pasurive të patundshme, Donald Trump. Për herë të parë, zoti Carson kryeson garën me diferencë të ngushtë ndaj zotit Trump, në një anketë të re kombëtare.

Anketa e fundit e përbashkët e gazetës "New York Times" me televizionit CBS News, tregon se Ben Carson gëzon mbështetjen e 26 për qind të votuesve republikanë në zgjedhjet paraprake, ndërsa Donald Trump është në vend të dytë, me 22 për qind.

Kjo është hera e parë që Donald Trump nuk kryeson garën e republikanëve, që kur gazeta "New York Times" me televizionin CBS News, filluan vlerësimin e mbështetjes për kandidatët, në fund të korrikut.

Jeb Bush nën shqyrtim

Në debat, i cili këtë herë mbahet në Boulder të Kolorados dhe që transmetohet në kanalin televiziv CNBC, marrin pjesë 10 kandidatët kryesorë republikanë, të cilët po hyjnë në një fazë të rëndësishme të fushatës zgjedhore.

Në një gjendje kritike të fushatës së tij ndodhet ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush. Shpenzimet për fushatët e tij po pakësohen kohët e fundit, pasi ai mbeti prapa në anketat kombëtare në shtete të rëndësishishme ku mbahen zgjedhje paraprake, si Iowa, Nju Hampshër dhe South Carolina. Fundjavën e kaluar Jeb Bush mori pjesë në një takim në Houston me donatorë të pasur, ku ai u përpoq t'i siguronte ata për besueshmërinë e kandidaturës së tij.

Tkurrja e kandidatëve demokratë

Përmasat e kampit republikan të zgjedhjeve janë në kontrast të madh me garën e demokratëve, ku kanë mbetur vetëm tre kandidatë: ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton; senatori i Vermontit, Bernie Sanders; dhe ish guvernatori i Marylandit, Martin O’Malley. Dy prej kandidatëve demokratë u larguan nga gara javën e kaluar; ish-senatori i Virxhinias, Jim Webb; dhe ish-guvenratori i shtetit Rhode Island, Lincoln Chafee.

Nënpresidenti Joe Biden, po ashtu e përjashtoi veten nga gara presidenciale e 2016-ës, duke i dhënë zonjës Clinton një energji të re, që ka ndihmuar në përcaktimin e saj si kryesuese e garës së demokratëve.

Zonja Clinton po ashtu e ndihmoi fuqizimin e saj, pas një paraqitjeje të suksesshme para Komisionit të Kongresit për sulmin në Benghazi, si dhe me një prezantim të gjallë në debatin e javës së mëparshme.

Trump në sulm ndaj Carsonit

Në garën republikane, Donald Trump i ka shkallëzuar ditët e fundit sulmet ndaj Ben Carsonit, duke e akuzuar atë "për nivel shumë të ulët energjie", në një intervistë në CNN. Zoti Carson u përgjigj në televizionin Fox, duke thënë se ai nuk donte të binte "batakun" e zotit Trump, por kjo mund të jetë më e vështirë për të shmangur debatin e së mërkurës. Donald Trump tha të martën në televizionin MSNBC, se ai "do të jetë gati shpenzojë sa të jetë e nevojshme për të fituar". Ai tha po ashtu se tani Ben Carson ka për të qenë më tepër në qendër të vëmendjes dhe "kemi për të parë se si do ta përballojë ai këtë kqyrje të kujdesshme".

Suksesi i zotit Trump vazhdon të shkaktojë shqetësim mes anëtarëve të Partisë Republikane. Strategu i republikanëve, Karl Rove, këshilltar i afërt i ish-presidentit George W. Bush, shkroi në gazetën "Wall Street Journal", se republikanët mundet t’u duhet të zgjedhin një kandidat me program konservator, ose një kandidat, i cili "të pasqyrojë zemërimin popullor", me sa duket duke iu referuar zotit Trump. Karl Rove paralajmëroi se "parimet konservatore" do të çonin në rrugën drejt fitores, ndërsa "zemërimi populist do të përfundonte me humbje".

XS
SM
MD
LG