Lidhje

Droga, trafik nga Shqipëria me avionë


Në Itali, policia goditi sot një grup italo-shqiptar që trafikonte marijuhanë. Sekuestrohet avioni turistik dhe 470 kilogram marijuhanë. 7 të arrestuar dhe 10 të tjerë në kërkim

Policia italiane njoftoi sot se ka goditur një organizatë italo-shqiptare e cila arrinte të transportonte drogë nga Shqipëria përmes avionëve të vegjël turistik, në zonën e Veriut të Italisë. Të paktën 7 persona u arrestuan ndërsa 10 të tjerë janë në kërkim. Organizata përbëhej nga 3 italianë dhe 14 shqiptarë.

Policia italiane arriti të sekuestronte sot avionin si dhe një ngarkesë prej 470 kilogramësh marijuhanë, e cila sipas autoriteteve italiane kishte një vlerë prej 5 milion eurosh nëse do të shitej me pakicë. Operacioni u realizua pas hetimesh që kishin nisur prej më shumë se dy vitesh. I koordinuar nga Guardia di Finanza e Torinos, në të u angazhuan forcat policore të të paktën 4 rajoneve italiane, Në krye të organizatës dyshohet se është një familje shqiptare e cila prej vitesh jeton në Itali dhe që mbante lidhje me trafikanët të drogës në Shqipëri për të siguruar furnizimet.

Një vit më parë në Divjakë, u kap një shtetas italian i cili me avionin e tij ngeci në rërën e plazhit, ndërsa në zonën afër tij u gjetën sasira të mëdha marijuhane. Ndërsa një ditë më parë, falë një operacioni të përbashkët policor mes Shqipërisë dhe Italisë, u godit një tjetër organizatë e gjitha shqiptare por që vepronte në Italia, e cila merrej kryesisht me trafikun e heroinës, dhe që dyshohet se arrinte të fuste në tregun italian afër 1 ton heroinë në vit.

XS
SM
MD
LG