Lidhje

Qendra e traumave


Medical Center
Medical Center

Studimi i ri nga Universiteti i Kalifornisë në Davis vlerëson se qendrat e traumave në spitale universitare ofrojnë përvojën më të mirë për kirurgët ushtarakë që një ditë të punojnë në një zonë luftimesh. Marina amerikane është duke përgatitur grupe të zgjedhura nga departamenti i saj mjekësor në një nga qendrat më të ngarkuara emergjente në vend.

Qendra e traumës së shkallës së parë është pajisur për të trajtuar plagët më të rënda. Puna këtu në departamentin e emergjencës është ndryshe nga çdo punë tjetër në spital.


"Duhet të jesh në gjendje të veprosh menjëherë, pa përgatitje paraprake dhe pa ditur se çfarë do të ndodhë.”

Nga të shtënat me armë, plagët me thikë, e deri në aksidente të rënda me makina, në këtë qendër trajtohen mesatarisht 20 raste të rënda në ditë. Ky është Departamenti i Emergjencave në Universitetin e Los Angeles-it.


Aty ndodhet edhe Qendra e trajnimit të Traumave të marinës, ku infermierja Jessica Naranjo po kryen përgatitje intensive prej 21 ditësh para se të shkojë në një zonë luftimi.

"Është tronditëse dhe e frikëshme. Këtu shihni një manekin që ka një plagë të madhe nga shpërthimi, e dini se është kukull. Por kur shikoni një njeri të vijë me plagë me armë zjarri dhe zorrë të varura, ajo na jep një ndjenjë ndryshe të urgjencës."

Naranjo dhe shumica e shokëve të saj së shpejti do të vendosen në Afganistan. Kirurgët, infermieret dhe personeli spitalor thonë se trajnimi në një mjedis të tillë, jo vetëm mpreh aftësitë e veçanta për mjekësi emergjente, por gjithashtu i përgatit ata të jenë të vendosur.

"Ju duhet të jeni në gjendje të mendoni dhe të reagoni. Kur keni një pacient që ka një plagë thike në bark, ju duhet të mendoni mbi plagën, gjakëderdhjen, ku do ta dërgoni, në dhomën e urgjencës? ose çfarë duhet të bëni.”

Ideja e një qendre trajnimi të traumës ushtarake e ka zanafillën nga përvoja e Luftës së parë të Gjirit persik, rreth 25 vjet më parë.

Jeff Ricks, mjek ushtarak thotë:
"Si ushtri në përgjithësi, ne nuk bëmë një punë të mirë për të siguruar trajtim të efektshëm në një mjedis me burime të kufizuara”.

Mjeku Jeff Ricks thotë se për të qenë më efektiv në zona lufte, personeli ushtarak mjekësor duhet të marrë më shumë përvojë nga qendrat e traumave përpara se të shkojë në një zonë konflikti.

"Në operacionet në kohë paqeje ju nuk ekspozoheni shumë ndaj mjekësisë që merret me trauma, dhe që është e nevojshme."

Por ka vetëm tre qendrat e trajnimi si kjo për ushtrinë amerikane. Shumë njerëz në komunitetin mjekësor ushtarak do të donin të kishte më shumë partneritet me qendrat universitare të traumave.

"Një gjë e tillë na ndihmon për të qënë më të përgatitura në një mjedis real traumash”.

Një aftësi që Jessica Naranjo pret ta përdorë kur të shkojë në Afganistan.

XS
SM
MD
LG