Lidhje

Si u pasurua kryetari i Apelit


BIRN publikon kallzimin e Inspektoriatit të Pasurisë nga gjykatësit Alaudin Malaj për “deklarime të rreme” dhe “dyshime për pastrim parash” për pasurinë 1.7 milion euro

Rrjeti i Gazetarisë Investigative në Ballkan, BIRN, ka publikuar hollësi mbi mënyrën se si u krijua pasuria 1.7 milion euroshe e Kryetarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj, i cili shtatorin e kaluar u denoncua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI. Ky institucion bëri njëkohësisht dhe kallzim penal në Prokurori, në përfundim të kontrollit të deklaratave të gjykatësit Malaj mbi pasurinë dhe të ardhurat. Pikërisht këtij dokumenti i referohet edhe BIRN, në publikimin e tij.

"Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1,7 milion euro”, njoftoi në shtator ILDKP-ja në një komunikatë zyrtare. Në vitin 2003, pasuria e deklaruar nga gjyqtari Malaj ishte 60 mijë euro. Por ajo pësoi një rritje të shpejtë ndër vite, ndërsa interesat e gjykatësit dhe bashkëshortes së tij u ndërthurrën me aktivitete private ku ishin të përfshirë dhe të afërmit e tyre.

Sipas kallzimit të ILDKPKI-së, të cilit i referohet BIRN, përgjatë 11 viteve, Malaj dyshohet te ketë bërë "24 deklarime të rreme për të mbuluar burimin e paqartë të pasurisë së tij". Inspektoriati vë në dukje se “të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te Malaj, nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre prej tij në aktivitete brenda dhe jashtë vendit”.

Në rastet e dyshuara nga ILDKPKI-ja janë dhurime apartamentesh që prindërit e gjykatësit i bëjnë bashkëshortes së këtij të fundit, të cilat më pas rishiten, apo banesa të blera që sërish rishiten me vlera disa herë më të mëdha, apo dhe rasti i banesës aktuale në Tiranë, prej më shumë se 300 metra katrorë, të deklaruar se është blerë me 442 euro për metër katrorë, ndërkohë që ne atë zonë, Inspektoriati pretendon se kompania e ndërtimit i ka shitur apartamentet me cmime nga 800 deri 2000 euro për metër katrorë. “Këto transaksione, fillimisht blerje dhe më pas dhurim dhe shitje brenda familjes janë veprime tipike të pastrimit të produkteve penale,” thuhet në kallëzimin e ILDKP, sipas BIRN-it.

ILDKPKI-ja njoftoi në momentin e dorëzimit të kallzimit se do të verë në dijeni “menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore” ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit, por deri më tani, nuk ndonjë njoftim që këto institucione të kenë vepruar.

XS
SM
MD
LG