Lidhje

Grup studentësh, vezë kundër Ramës


Protestë kundër ligjit për Arsimin e Lartë. Ngjarja pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në përfundim të një takimi të kryeministrit. Tetë studentë shoqërohen në polici. Lirohen në mbrëmje

Në Tiranë një grup studentësh qëlluan me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama ndërsa ky i fundit po dilte nga një takim i organizuar me përfaqësues të biznesit të vogël në mjediset e Faktetit të Shkencave sociale. Forcat e policisë të pranishme ndërhynë menjëherë. Të paktën 9 studentë mësohet se janë shoqëruar në një nga komisariatet e Tiranës. Gjashtë prej tyre janë anëtarë të “Lëvizjes për Universitetin” dhe tre të tjerë nga “Lëvizja studentore” në Prishtinë.

Goditja me vezë ndaj kryeministrit duket se ka qenë një shenjë proteste ndaj reformës në Arsimin e Lartë e cila ka hasur jo pak kundërshti, jo vetëm nga grupe studentore por edhe pedagogë të Universiteteve.

Përfaqësuesë të Lëvizjes për Universitetin, ka akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Njëra prej studenteve të shoqëruara, Viki Cipi, nga mjediset e komisariatit të policisë ka shkruar në Facebook se “na trajtuan kafshërisht dhe na dhunuan turpësisht” duke konfirmuar se reagimi ndaj kryeministrit kishte të bënte pikërisht me kundërshtimin e reformës së Arsimit të Lartë. “Arsimi është e drejtë dhe jo privilegj për të pasurit”ka shkruar ajo në Facebook.

Policia e Tiranës hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se “ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve” dhe se “gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike”. Studentët u lanë të lirë në mbrëmje dhe për ngjarjen ata do të ndiqen në gjendje të lirë.

Pak pas ngjarjes, duke dalë nga selia e partisë së tij kryeministri Rama evitoi ta komentonte atë.

XS
SM
MD
LG