Lidhje

Fushata e kandidatit republikan Jeb Bush


Kandidati republikan për president, Jeb Bush, që mendohej se do të ishte kryesuesi i partisë së tij për garën presidenciale, tani është duke u përpjekur të fuqizojë fushatën pas debatit të republikanëve javën e kaluar. Në atë debat ai nuk u paraqit në nivelin që shpresonin përkrahësist e tij.

Jeb Bush po përpiqet të tërheqë më shumë votues në Nju Hemshër, në përpjekje për ta marrë veten nga paraqitja në debatin e fundit, për të cilën edhe përkrahësit e tij mendojnë se ishte zhgënjyese.

“Fushata nuk lidhet me personalitetet e mëdha në skenë. Nuk lidhet me performancën e tyre. Por ka të bëjë me udhëheqjen dhe udhëheqësi i vendit tani duhet të ketë një rol unifikues”, tha zoti Bush.

Kur ishte guvernator i Floridës, Jebb Bush pati shërbyer si shembull, për senatorin Marco Rubio. Por gjatë debatit, kur Bush e kritikoi Rubion se nuk kishte marrë pjesë në votimet e Senatit gjatë fushatës, Rubio iu kundërpërgjigj.

“Por Marco, kur ti vendose të bëhesh senator, ky ishte një mandat 6-vjeçar, prandaj ti duhet të paraqitesh në punë.”

“E vetmja arsye përse ti po e bën këtë tani, është se jemi duke kandiduar për të njëjtin post dhe dikush ju ka bindur se sulmi ndaj meje mund të të ndihmojë.”

Jebb Bush prej kohësh është konsideruar si favorit i partisë republikane. Por ai ka dalë më keq në anketa, me ngritjen e kandidatëve të tjerë, si Donald Trump dhe Ben Carson; Bush kohët e fundit e shkurtoi ekipin e fushatës dhe shpenzimet, gjë që flet për zhgënjimin e tij.

“Kam plot gjëra për të bërë, në vend që thjesht të rri pasiv, i trishtuar, duke dëgjuar njerëzit të më demonizojnë dhe unë që ndjej detyrimin t’i demonizoj ata. Kjo është një shaka. Zgjidhni Trumpin në se doni këtë gjë.”

Megjithë emrin e tij të famshëm, Bush është përpjekur shumë të krijojë lidhje me votuesit, thotë historiani Allan Lichtman.

“Jeb Bush ka patur një nga fushatat më të këqija në historinë moderne. Ai jo vetëm që bën gafa, por nuk duket të jetë i përkushtuar ndaj fushatës. Atij i mungon gjallëria, mprehtësia, dhe nuk është tërheqës.”

Edhe përkrahës si kongresmeni Vin Weber janë të habitur dhe të shqetësuar.

“Është e vërtetë, se ai nuk është konsekuent me gjendjen e tanishme shpirtërore të amerikanëve. Sepse ne, përkrahësit e tij, shumica jonë, menduam se ai do të kryesonte garën, ndërsa në fakt ai ka mbetur pas.”

Por duke patur parasysh emrin dhe mbështetësit e tij të pasur, Bush përsëri mund të ngjitet në skenë, thotë strategu John Feehery.

“Unë nuk do ta përjashtoja Jeb Bushin. Ai ka mbështetje të madhe financiare nga Komiteti i Veprimit Politik, si dhe nga organizata që nuk i kanë kandidatët e tjerë.”

Jebb Bush shpreson ta rifillojë këtë javë fushatën e tij me një turne me autobus nëpër disa prej shteteve ku mbahen zgjedhjet e parakohëshme.

XS
SM
MD
LG