Lidhje

Ndalohet në Londër pronari i Agon Channel


Sipërmarrësit italian i komunikohet urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare, pranë të cilave duhet të dorëzohet brenda 7 dhjetorit.

Autoritetet londineze kanë ndaluar në kryqyetetin britanik, për llogari të Drejtësisë shqiptare, sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i disa shoqërive në Shqipëri, mes të cilave dhe i televizionit Agon Channel, i cili ka dhe një kanal me të njejtin emër dhe në Itali, në platformën dixhitale tokësore. Një gjykatë në Londër i ka komunikuar atij urdhër arrestin ndërkombëtar. Becchetti, është lënë i lirë përkundrejt një garancie pasurore dhe sipas Prokurorisë shqiptare, ai është urdhëruar që brenda datës 7 dhjetor të vijë në Shqipëri, e cila ka kërkuar ekstradimin e tij.

Becchetti dyshohet, sipas autoriteteve shqiptare, të jetë “i përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro”. Prokuroria njoftoi se ka siguruar deri më tani “prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave tё kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Të njejtat akuza bien dhe mbi dy shtetas të tjerë italianë, Mauro de Renzis, bashkëpunëtor i Becchettit, ndaj të cilit po ashtu është lëshuar një urdhër arresti, dhe Liliana Condomitti, e cila është mamaja e Becchettit. Për shkak të moshës mbi 70 vjecare, ndaj zonjës Condomitti nuk ka urdhër arresti. Ndërsa në Tiranë, nën akuzë ka përfunduar edhe një bashkëpunëtore e tij si dhe punonjësja e një banke të nivelit të dytë.

Me urdhër të Gjykatës është vënë në sekuestro pjesa e aksioneve (60 përqind) që Becchetti ka në të paktën 5 kompani në Shqipëri, e po ashtu dhe llogaritë bankare të tij dhe personave të tjerë të dyshuar. Ndërkohë që prej disa javësh sinjali i transmetimit të televizionit Agon Channel, është ndërprerë.

Hetimet ndaj Becchetti-t kanë nisur vitin e kaluar pas një materiali që është referuar nga Policia e Tiranës, lidhur me aktivitetin e shoqërisë së tij në fushën e energjisë, dhe koncesionin në hidrocentralin e Kalivacit, një ndër koncesionet e para që në fund të viteve ’90, por që asnjëherë nuk u përfundua. Sipas prokurorisë, nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi, sipërmarrësi italian së bashku me të ëmën, “kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre. Becchetti gjithashtu dyshohet se ka shmangur pagesën e detyrimeve ndaj tatimeve në një vlerë që shkon mbi 5 milion euro.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG