Lidhje

Mijëra turistë rusë e britanikë largohen nga Sharm el-Sheikh


Mijëra pushues evropianë janë duke lënë qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh pas fatkeqësisë ajrore që vrau qindra turistë rusë në fund të tetorit.

Sekretari i Jashtëm britanik Philip Hammond tha të dielën, se 5-mijë qytetarë britanikë pritet të largohen nga vendpushimi në Detin e Kuq. Megjithatë, ambasada britanike në Kajro ishte e kujdesshme mbi mënyrën se si e quan këtë largim.

"Britania nuk po evakuon turistët e saj", - tha misioni diplomatik në një deklaratë të shtunën. "Masat që kemi marrë dje dhe sot me autoritetet egjiptiane dhe linjat ajrore në britanike tani do të na lejojnë t’i kthejmë nënshtetasit britanikë të sigurtë në përfundim të pushimeve të tyre."

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi qeverinë e tij javën e kaluar për të lehtësuar kthimin e turistëve rusë nga Egjipti. Zëvendëskryeministri Arkady Dvorkovich tha të shtunën se deri në 80-mijë rusët janë duke vizituar Egjiptin, dy herë më shumë se sa ishte vlerësuar më parë. Të dielën, një zyrtar rus tha se 11-mijë prej tyre janë kthyer në atdhe.

Të 224 personat në bordin e një avioni rus nga Sharm el-Sheikh për në Shën Petersburg u vranë më 31 tetor. Tragjedia bëri që disa linja ajrore evropiane të ndalnin, ose pakësonin fluturimet në pjesën jugore të gadishullit Sinai, ku ndodhi incidenti.

Militantët i grupit "Shteti Islamik" morën përgjegjësinë për rrëzimin e avionit rus, megjithatë kreu i ekipit hetimor egjiptian thotë se hetimet ende nuk kanë përfunduar. Zyrtarët amerikanë dhe britanikë kanë thënë se është e mundur që avioni të jetë rrëzuar nga një bombë.

XS
SM
MD
LG