Lidhje

Maqedoni, marrëveshja, kalon paketa e ligjeve


Miratimi nga parlamenti, pjesë e reformave të dakortësuara nga 4 partitë kryesore të vendit. Ndryshime në Kodin zgjedhor, atë Penal apo dhe vendimi mbi themelimin e Komisionit anketues për skandalin e përgjimeve

Parlamenti i Maqedonisë miratoi paketën e ligjeve që dalin nga marrëveshja e ashtuquajtur e Përzhinës, të arritur në mes të drejtuesve të katër partive më të mëdha në vend. Bëhet fjalë për ndryshimet në Kodin zgjedhor, për ndryshime dhe plotësime të Kodit penal, për ligjin për mbrojtjen e privacisë, ligjin për mbrojtjen e denoncuesve, ligjin për qeverinë, si dhe për vendimin mbi themelimin e Komisionit anketues për skandalin e përgjimeve.

Miratimi i ligjeve është pjesë e reformave të dakortësuara nga partitë VMRO-DPMNE, Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare në bisedimet e gjata dhe të mundimshme, të ndërmjetësuara nga komisioneri evropian Johannes Hahn dhe më pas nga eksperti belg Peter Van Hautte, si dhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shkup.

Ligjet e reja i paraprijnë zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për në prill të vitit të ardhshëm, por para tyre, kryeministri aktual Nikolla Gruevski duhet të japë dorëheqjen, të formohet një qeveri e përkohshme, e cila në të vërtetë do të ketë ndryshime të vogla. Shumica e ministrave do të vazhdojnë të ruajnë postet. Një përfaqësues i LSDM-së opozitare pritet të vihet në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, sikundër dhe një tjetër i po kësaj partie që do të drejtojë Ministrinë e çështjeve sociale. Ministrat dhe zëvendësministrat e dy partive rivale maqedonase në qeverinë e pritshme do të kenë të drejtën e vetos, për sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet, por dhe emërimeve apo shkarkimeve eventuale të zyrtarëve nëpër ministritë përkatëse.

Ndërkaq, Kodi zgjedhor parasheh, mes tjerash, formimin sipas një modeli të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjev: shumica parlamenatre dhe opozita do të propozojnë nga tre anëtarë, ndërsa tre të tjerë do të zgjidhen me konsensus e që do të jenë ekspertë të njohur publikisht.

Deputetët nga diaspora, në vend se në tre njësi zgjedhore siç ishte deri tash, do të zgjidhen në një njësi të vetme, që do të përfshijë Amerikën, Evropën dhe Australinë. Tre deputetëve të atjeshëm do t’u nevojitet një numër votash, aq sa është numri më i ulët i votave të një deputeti në gjashtë njësitë zgjedhore në Maqedoni. Do të rritet dhe përfaqësimi i grave, nga 33% në 40%.

Partitë politike shpresojnë se me këto ndryshime do të shmangen parregullsitë e rëndomta zgjedhore. Nga ana tjetër, zbatimi i reformave të tjera shikohet me një dozë skepticizmi nga një pjesë e partive të vogla dhe e analistëve në vend.

XS
SM
MD
LG