Lidhje

Tuda: Gjendje e vështirë e mediave në Maqedoni

  • Festim Gashi

Mediat në Maqedoni po ndeshen më vështirësi dhe sfida të mëdha, thotë analisti Uran Tuda. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Tuda, i cili është pronar i stacionit televiziv TV Art Kanal, thekson se ligji i vitit 2013 për mediat në Maqedoni ka krijuar kushtet për monopol. Zoti Tuda gjithashtu thotë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të zbardhur rrethanat e incidentit të dhunshëm të këtij viti në Kumanovë.

Në raportin e saj të fundit mbi lirinë e medias në botë, organizata Freedom House e klasifikon shtypin në Maqedoni si pjesërisht të lirë. Në raport thuhet se zbatimi i rregullave për mediat është i dobët dhe procesi i linçensimit është objekt i ndikimeve politike dhe ekonomike. Një nga arsyet e rënies së nivelit të lirisë së medias në Maqedoni janë edhe frikësimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Maqedonia ka një numër të madh gazetash dhe stacione televizive private por mediat pro-qeveritare, përfshrië televizionin shtetëror të Maqedonisë, vazhdojnë të kenë një rol dominues në treg. Analisti dhe pronari i stacionit televiziv TV Art Kanal, Uran Tuda, thotë se mediat e vogla të pavarura ndeshen me vështirësi dhe sfida të shumta:

“Ka sfida të shumta, ne jemi një nga stacionet më të vjetra private në Maqedoni që nga viti 1993. Një ndër vështirësitë më të mëdha ishin ato të vitit 2013, kur ndodhi dixhitalizimi dhe u krijuan monopole në këtë fushë. Është vetëm një operator që transmeton dhe unë mendoj se ndodhi një degradim sa i përket aspektit të informimit publik. Kjo ka krijuar edhe vështirësi financare për mediat private”.

Zoti Tuda është dakord me vlerësimin e organizatës Freedom House se media në Maqedoni ka shënuar rënie në vitet e fundit. Ai thotë se ligji për median i miratuar nga parlamenti maqedonas në vitin 2013 ka vështirësuar funksionimin e organizatave më të vogla të medias:

“Mund të them se me këtë ligj nuk u bë ndonjë përparim i mediave por përkundrazi ndodhi një degradim. Mediat në Maqedoni po vendnumrojnë në krahasim me vendet në Ballkan që na rrethojnë. Tregu mediatik është ndarë, partitë në pushtet kanë krijuar disa mekanizma të kontrollit. Në rast se kjo nuk ndryshon, Maqedonia nuk ka të ardhme mediatike dhe një të ardhme më të ndritur për qytetarët e vet”.

Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj nga ngjarjet e dhunshme në Kumanovë ku u vranë 24 njerëz dhe u dogjën mbi 100 shtëpi, ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit të armatosur atje. Për shumë analistë kjo mund të ketë qënë një ngjarje e organizuar nga qeveria për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike në vend. Zoti Tuda thotë se mungesa e transparencës mbi këtë ngjarje dhe moszbardhja e plotë e rrethanave të incidentit të dhunshëm në Kumanovë, kanë patur një ndikim negativ. Ai thotë se vrasjet dhe shkatërrimi i pronës në Kumanovë kanë dëmtuar bashkëjetesën mes komuniteteve:

“Një ndër efektet negative mund të jetë largimi i bashkëjetesës. Ka një mungesë të transparencës mbi ngjarjet në Kumanove që pritet të zbardhen. Akoma ka një vakuum i cili duhet të zbardhet dhe ka të bëjë me shumë çështje të tjera në Maqedoni”.

Zoti Tuda thotë se duhet të ketë një transparencë më të madhe mbi proceset politike në Maqedoni për të krijuar kushtet për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG