Lidhje

Çfarë pritet nga G-20?


Peru World Bank

Peru World Bank

Udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha në botë (G20) do të takohen në vendpushimin turistik të Antalias në Turqi për dy ditë, duke filluar nga e diela, për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik dhe fiskal, krizën e migrantëve dhe ndryshimet klimatike.

Çfarë është G20?

G20, është shkurtim për "Grupin e 20 vendeve”, një forum ndërkombëtar për qeveritë dhe guvernatorët e bankave qendrore të 20 ekonomive më të mëdha të botës.

Në të bëjnë pjesë 19 shtete - Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, Inda, Indonezia, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Anëtari i 20 është Bashkimi Evropian që përfaqësohet nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane.

Në vendet e G20 jeton dy të tretat e popullsisë së botës dhe ekonomia e tyre zë 85 për qind të ekonomisë botërore dhe 75 për qind të tregëtisë ndërkombëtare.

Kush do të marrë pjesë në takim?

Presidenti amerikan Barack Obama, presidenti rus Vladimir Putin, kryeministri britanik David Cameron, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, François Hollande dhe presidenti kinez Xi Jinping, së bashku me shumë udhëheqës të tjerë në mbarë botën, pritet të marrin pjesë.

Udhëheqësit e Spanjës, Azerbajxhanit, Malajzisë, Senegalit, Singaporit dhe Zimbabvesë gjithashtu do të marrin pjesë në samit me ftesë të Turqisë, edhe pse ata nuk janë anëtarë të G20.

Pse Turqia?

Turqia zyrtarisht mori presidencën e G20 nga Australia më 1 dhjetor 2014 dhe Kina do të kryesojë organizatën në vitin 2016.

Çështjet që do të diskutohen

Ekonomia globale, kriza më e rëndë e migrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ndryshimet klimatike, pritet të dominojnë takimin.

Ekonomia Globale

Disa nga ekonomitë në zhvillim po përballen me vështirësi të mëdha.

Andrew Kenningham, një konsulent me firmën “Capital Economics” në Londër, tha se Rusia po vuan më shumë nga ekonomitë në zhvillim.

Ekonomia e Rusisë "është kontraktuar me ndoshta 5 për qind këtë vit," thotë ai. Ajo është ndikuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore, pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina. Qeverisja e dobët është një tjetër faktor.

“Kjo e ka bërë Rusinë jashtëzakonisht të vështirë për bizneset që operojnë atje", thotë zoti Kenningham.

Samiti i G20 gjithashtu do të përqendrohet tek Kina. Rritja zyrtare ekonomike në Kinë është ngadalësuar në më pak se 7 për qind. Kjo shkaktoi një shitje në tregun e aksioneve dhe uli çmimet e naftës. Por zoti Kenningham thotë se frika është e tepruar.

Kina tha këtë javë se dëshiron që G20 të reformojë të drejtën e votës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kina thotë se dëshiron një rol më të madh. FMN-ja është një organizatë e 188 vendeve, që synon të nxisë rritjen e ekonomisë globale dhe të tregtisë ndërkombëtare.

Kriza e imigrantëve

Përpara samitit të G20, udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten për një takim jozyrtar në kryeqytetin maltez, Valletta, për të diskutuar rreth krizës së migrantëve, gjatë së cilës më shumë se një gjysmë milion refugjatë kanë hyrë në vendet e BE-së që nga fillimi i vitit. Kjo dyndje ka vënë në rrezik marrëveshjen e Shengenit për kufij të hapur mes vendeve evropiane.

Diskutimi pritet të vazhdojë në Turqi, ndërsa udhëheqësit evropianë i kërkojnë botës të ndihmojë në trajtimin e problemit.

Emigrantët, kryesisht nga Siria e shkatërruar nga lufta, Iraku dhe Afrika e varfër nën-Sahariane, hyjnë në Bashkimin Evropian kryesisht përmes Greqisë dhe Italisë pas kalimit të Mesdheut me anije nga Turqia dhe Afrika e Veriut. Shumë prej tyre kanë humbur jetën në këtë rrugëtim.

Më parë këtë muaj, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, thane se "G20 duhet të zgjidhë sfidën dhe të jap një përgjigje të koordinuar dhe novatore për të, duke njohur natyrën e saj globale dhe pasojat ekonomike dhe duke krijuar një solidaritet më të madh ndërkombëtar në mbrojtjen e refugjatëve ".

Ndryshimi i klimës

Vendet e G20 shpenzojnë pothuajse katër herë më shumë për nxjerrje nafte se sa për të subvencionuar energjinë e ripërtëritshme, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin e tyre ndaj ndalimit të ndryshimeve klimatike, sipas një instituti studimor britanik. (Overseas Development Institute).

Instituti thotë se G20 ka shpenzuar mesatarisht 78 miliardë dollarë për subvencione kombëtare përmes shpenzimeve të drejtëpërdrejta dhe lehtësimit të taksave në vitin 2013 dhe 2014.

286 miliardë dollarë të tjerë janë investuar në ndërmarrjet shtetërore të vendeve të G20 që merren me prodhimin e naftës.

Ndërkohë, subvencionet për energjinë e rinovueshme në vitin 2013, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë, ishin 21 miliardë dollarë.

Olivia Gippner në universitetin “London School of Economics”, thotë se ndryshimi i klimës do të jetë në krye të agjendës të G20 , “veçanërisht për shkak të afrimit të konferencës së Parisit në dhjetor dhe ky është një nga takimet e fundit, ku ekonomitë e mëdha dhe aktorët e mëdhenj në fushën e ndryshimeve klimatike do të mblidhen së bashku. "

XS
SM
MD
LG