Lidhje

Sulmet në Paris, Shqipëria në zi


Qeveria vendosi të shpallë të hënën, ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes

Qeveria shqiptare vendosi sot të shpallë të hënën ditë zie kombëtare, në respekt dhe nderim të viktimave të sulmeve terroriste që goditën kryeqytetin e Francës mbrëmjes e së premtes. Nesër, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë, ndërsa në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje.

Autoritetet me të lartë shtetërore dhe politike të Shqipërisë, si dhe Komuniteti musliman shqiptar, dënuan me ashpërsi sulmet terroriste në Paris, duke u solidarizuar me Francën e duke rikonfirmuar dhe një herë, sic theksohet dhe në deklaratën e sotme të qeverisë, se Shqipëria “mbetet thellësisht e angazhuar krah aleatëve të saj në luftën kundër terrorizmit”.

Sot pasdite zyra e presidentit Bujar Nishani ka njoftuar organizimin e një ceremonie të posacme homazhesh, ndërkohë që mbrëmë qytetarë të ndryshëm u mblodhën në një zonë qendrore të kryeqytetit me qirinj në duar në shenjë nderimi për viktimat e sulmeve terroriste. Ndërsa godina e kryeministrisë u ndricua me ngjyrat e flamurit francez.

Shqipëria është ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Menjëherë pas ngjarjeve të së premtes në mbrëmje, në të gjithë vendin është rritur niveli i gadishmërisë i forcave të policisë, ndërkohë që janë përforcuar kontrollet në institucionet dhe pikat kyce në vend si dhe në kufi.

XS
SM
MD
LG