Lidhje

Ekstremizmi në Ballkan: Bosnja


Në shtator 1993, një batalion luftëtarësh të huaj islamikë kapën një fshat afër qytetit Vitez, në pjesën qendrore të Bosnjë-Hervegocinës, që mbahej nga forcat kroate. Grumbulluan të burgosurit dhe të plagosurit dhe i vranë të gjithë. Megjithëse ajo luftë ishte e njohur për gjakderdhje, ky ishte një moment veçanërisht i tmerrshëm.

Këta muxhahedinë të luftës afgano-ruse patën filluar të hynin në Bosnjë që një vit më parë. Shpresonin të bënin një luftë xhihadi më të gjerë me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që pati kthyer kundër njëri-tjetrit të krishterët ortodoksë, katolikët dhe myslimanët.

Luftëtarë të tjerë pasuan nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme. Sauditi Aiman Dean ishte ndër ta. “Shumë prej muxhahedinëve në Afganistan po ndiheshin të përjashtuar nga çfarë po ndodhte në Afganistan. Kështu që kur filloi lufta në Bosnjë, ata panë një mundësi për ambiciet e tyre xhihadiste”, thotë ai

Ai iu bashkua më vonë al-Kaidës për t’u larguar i zhgënjyer dhe thotë se njësitë e muxhahedinëve filluan me një grusht njerëzish. Më vonë, i bënë kërkesë qeverisë së Bosnjës që të bëheshin pjesë e ushtrisë. “Arsyeja pse kërkonin të njiheshin zyrtarisht ishte sepse synon të përfshinin boshnjakë në radhët e tyre”, thotë Aiman Dean.

Ekstremizmi në Ballkan
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Sarajevës, Vlado Azinoviç, ka një tjetër këndvështrim për luftëtarët e huaj islamikë që erdhën në Bosnjë. Ai thotë se disa prej tyre ishin pjesë e përpjekjeve të vendeve myslimane që mundoheshin të shmangnin embargo e armëve të OKB-së dhe të fitonin influencë në rajon.

“Udhëheqja boshnjake deklaroi që në fillim se nuk kishin nevojë për luftëtarë të huaj. Ajo çka u duhej ishte armatimi, por një pjesë e këtyre furnizimeve ishin pjesë e një marrëveshjeje për të lejuar fluksin e muxhahedinëve”, thotë profesori Azinoviç.

Në vitin 1993, njësia e muxhahedinëve u bë zyrtarisht pjesë e Korpusit të 3-të të Ushtrisë së Bosnjës, nën komandën e Gjeneral Enver Hadzihasanovicit. Radhët e tyre u shtuan me rreth 1500 trupa boshnjake. Të njohur për brutalitetin e tyre, luftëtarët e huaj islamikë ishin shumë më agresivë se njësitë e rregullta të ushtrisë boshnjake. Torturimi dhe vrasjet masive ishin të zakonshme, madje edhe prerje kokash që është tashmë simboli i grupit Shtetit Islamik.

“Kam parë ekzekutime në masë të të burgosurve serbë. Të them të drejtën, ishin të gjithë personel ushtarak ose anëtarë të milicisë – çetnike serbe,” thotë Aiman Dean.

Gjenerali Hadzihasanovic refuzoi të filmohej nga kamera e Zërit të Amerikës për shkak të problemeve të tij ligjore, por ra dakort të fliste pa kamera në një kafe të Sarajevës. Ai u gjet fajtor nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte të njësisë së muxhahedinëve dhe bëri dy vite burg në Hagë.

Ironia e jetës deshi që Sllobodan Millosheviçi, udhëheqësi serb që ndezi urrejtjen kundër myslimanëve, të ishte në qelinë ngjitur. Ata u bënë çuditërisht miq dhe mblidheshin shpesh për çaj. “Nuk mendoj se ai e kishte problem se çfarë etnie apo feje ishte dikush. Por, nëse dëmtoje pushtetin e tij, të vriste menjëherë.”

Hadzihasanovic përsëriti dëshminë e tij në Hagë dhe faktin se nuk kishte kontroll mbi njësinë muxhahedine. Aiman Dean është dakort. “Ata ishin vetë në kontroll të gjërave”, thotë ai duke iu referuar komandatëve të huaj islamistë. “Në fund të ditës, jo vetëm që vepronin si drejtues të grupit të tyre, por edhe u jepnin këshilla udhëheqësve dhe komandatëve boshnjakë.”

Importimi i ideologjisë

Luftëtarët e huaj sollën me vete edhe një interpretim më radikal Salafi të Islamit në Bosnjë, duke mbështetur konceptin e një xhihadi global. “E shikonin Bosnjën si një mundësi të mirë për të prezantuar një interpretim të ngurtë të Islamit”, thotë studiuesi boshnjak i Islamit, Hajrudin Somun. “Erdhën në luftë me qëllimin për të konvertuar të rinjtë myslimanë të Bosnjës.”

Shumica e boshnjakëve ushtrojnë një formë të moderuar evropiane të Islamit sunit, shpjegon zoti Somun. “Një mysliman i mirë boshnjak ndjek faljen e të premtes në xhami dhe pastaj shkon në shtëpi për të pirë raki kumbulle.”

Pas luftës, qeveria boshnjake u kërkoi të gjithë luftëtarëve të huaj të largoheshin. Disa nuk u larguan dhe krijuan komunitete malore Salafi me anëtarët boshnjakë të njësive muxhahedine.

“Të dhënat tregojnë se 5 mijë persona hynë në Bosnjë-Hercegovinë gjatë luftës. Rreth 1 mijë mbetën pas luftës dhe prej tyre 500 i larguam duke u hequr nënshtetësinë”, i tha Zërit të Amerikës zëvendësministri i brendshëm boshnjak për çështjet e terrorizmit, Vjekoslav Vukovic.

Një pjesë e mbi 200 luftëtarëve boshnjakë që i janë bashkuar grupit Shteti Islamik në Siri janë nga këto komunitete të izoluara Salafi. Në shkurt 2014, një flamur i Shtetit Islamik u shfaq në një shtëpi në fshatin Gornja Maoca. Zona është bastisur disa herë gjatë dekadës së fundit nga policia boshnjake për aktivitete të dyshuara terroriste.

Ndikimi i brigadës së muxhahedinëve të Bosnjës është ndjerë nëpër botë për më shumë se 20 vjet. Ndër ta ishte edhe Khalid Sheikh Mohammed, ideatori i sulmeve terroriste të vitit 2001 në SHBA. Po kështu, ishin edhe anëtarë kryesorë sauditë të al-Kaidas, ose Ramzi bin al-Shibh, anëtari i celulës së Hamburgut që përgatiti planin për sulmet në SHBA. Qindra të tjerë iu bashkuan al-Kaidës në Afganistan dhe luftuan dhe Çeçeni dhe Pakistan.

Tani ata po i bashkohen grupit Shtetit Islamik.

“Bosnja ishte vetëm një episod i një serie të gjatë konfliktesh xhihadiste që do të shtrihej në të gjithë botën myslimane”, thotë Aiman Dean, “dhe shërbeu si një parapërgatitje që e gjithë bota myslimane të bëhej gati për krijimin e kalifatit”.

XS
SM
MD
LG