Lidhje

SHBA: Debat për sistemimin e refugjatëve sirianë


Presidenti amerikan Barack Obama i kritikoi politikanët amerikanë që kundërshtojnë sistemimin e refugjatëve sirianë, duke thënë se retorika e tyre bie në kundërshtim me vlerat amerikane dhe mund të shfrytëzohet për rekrutime të mëtejshme nga grupi Shteti Islamik.

Që nga sulmet terroriste në Paris, disa politikanë republikanë kanë bërë thirrje që të ndalet procesi i sistemimit të refugjatëve sirianë, duke argumentuar se këto hapa nuk do t’i lejojnë terroristët sirianë të kryejnë sulme të ngjashme në Shtetet e Bashkuara.

Të martën, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, bëri thirrje që të pezullohet pranimi i refugjatëve sirianë:

"Vendi ynë ka qenë kurdoherë mikpritës. Por ne nuk mundet t’i lejojmë terroristët të përfitojnë nga dhembshuria jonë. Ky është momenti kur është më mirë të jemi të sigurtë, se sa të ndjejmë keqardhje. Prandaj mendoj se duhet të tregohemi të matur në këtë aspekt të veçantë të programit të refugjatëve, me qëllim që të verifikojmë që terroristët nuk janë duke u përpjekur të infiltrojnë në radhët e refugjatëve.”

Duke folur sot për gazetarët në takimin ekonomik për bashkëpunim mes vendeve të Azi-Paqësorit në Manila, zoti Obama tha se sipas procesit të tanishëm të Shteteve të Bashkuara për verifikimin e refugjatëve, atyre do t’u duhen muaj të hyjnë në vend. Ai tha se ndalimi i këtij procesi do të ishte një veprim i shtyrë nga frika.

"Nuk është vendimi i drejtë kur si përgjigje ndaj një sulmi terrorist të biem në panik. Vendimet tona nuk janë të mira kur bazohen tek histeria dhe ekzagjerimi i rreziqeve.”

Presidenti reagoi me forcë ndaj sugjerimeve që Shtetet e Bashkuara të lejojnë vetëm refugjatë të krishterë nga Siria, duke thënë se “kjo është fyese dhe bie në kundërshtim me vlerat amerikane.”

"ISIL përpiqet të shfrytëzojë idenë se Islami dhe Perëndimi janë në luftë. Kur sheh njerëz me pozitë që thonë se është më mirë të mbrosh të krishterët se sa myslimanët që jetojnë në një zonë me luftra, kjo ushqen teorinë e ISIL-it."

Ligjvënësit republikanë kanë bërë thirrje që të ndalen planet për sistemimin e 10 mijë sirianëve të tjerë në Shtetet e Bashkuara, në një debat që ka pasqyruar diskutimet në vendet europiane, në se sistemimi i refugjatëve rrezikon sigurinë.

Më tepër se 24 guvernatorë shtetesh amerikane kanë lënë të kuptohet se kanë në plan të bllokojnë procesin e sistemimit të refugjatëve sirianë në vendet e tyre.

Administrata Obama i ka dalë në mbrojtje procesit aktual të kontrollit të imtësishëm të refugjatëve që hyjnë në SHBA, duke thënë se ata duhet t’i nënshtrohen një procesi intensiv që merr 18-24 muaj. Presidenti i mirëpriti sugjerimet për përmirësimin e këtij procesi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG