Lidhje

Sulmet e Parisit acarojnë debatin për refugjatët


Njoftimi se një nga autorët e sulmeve vetëvrasëse që realizuan aktet terroriste të Parisit kishte pasaportë siriane dhe mendohet se është futur në Evropë si refugjat përmes Greqisë, e ka ndezur debatin për masën e emigrantëve që është dyndur drejt Evropës. Siç njofton Henry Ridgewell nga Londra, sulmet kanë nxitur partitë e djathta në Evropë të kërkojnë tërheqjen nga marrëveshja për sistemimin e refugjatëve në Evropë.

Një terrorist që u prezantua si refugjat. Prokurorët francezë konfirmuan të hënën se Ahmad al-Mohammad ishte një ndër personat që hodhi veten në erë tek stadiumi kombëtar francez në Paris.

Pasaporta e tij siriane, që mendohet se ishte e falsifikuar, u gjet pranë trupit. Shenjat e gishtave të al-Mohammadit përkonin me shenjat e marra nga zyrtarët grekë në ishullin Leros në tetor, kur mbërriti në breg një grup prej afro 70 emigrantësh.

Udhëheqësja Marie Le Pen e partisë franceze së ekstremist të djathtë Fronti Kombëtar, e cila pritet të forcojë pozitat në zgjedhjet e ardhshme lokale, reagoi menjëherë.

“Përhapja e këtyre emigrantëve në fshatra e qytete në Francë mund të përhapë frikë për praninë e terroristëve, të cilët shfrytëzojnë lëvizjet e popullatës për të na goditur në zemër të kryeqytetit dhe në qytete të tjera franceze”.

Në Poloni, Partia e sapo-zgjedhur për Ligj dhe Drejtësi paralajmëroi se mund të tërhiqet nga marrëveshja evropiane për të sistemuar refugjatët. Konrad Szymanski do të jetë ministër i ardhëshëm për çështjet evropiane.

“Do t’i pranojmë vetëm po të kemi garanci për sigurinë. Ky është një kusht thelbësor dhe tani në Evropë ky kusht është në pikëpyetje”.

Brukseli ka paralajmëruar të mos ndërthuret problemi i refugjatëve me atë të terrorizmit. Martin Schulz është President i Parlamentit Evropian.

“Nuk mund të fajësojmë refugjatët, nuk mund të quajmë keqbërës viktimat e këtyre akteve. Nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë”.

Analistët nënvizojnë se pjesa më e madhe e autorëve të sulmeve ishin shtetas evropianë. Sajjan Gohel, Fondacioni Azi-Paqësor:

“Nëse ISIS do të ndërmarrë sulme në Perëndim, nuk ka nevojë të importojë terroristë me refugjatët. Ata mund të rekrutojnë nga shoqëritë tona”.

Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International paralajmëroi të mos bëhen veprime të pamenduara. Gauri van gulik, Amnesty International:

“Në këto momente kemi nevojë për udhëheqje për të na mbajtur të sigurtë, pa cënuar apo dëmtuar të drejtat e njeriut të atyre që kanë nevojë për mbrojtje. Por personat që po fajësohen për këtë situatë janë ata që po ikin për t’i shpëtuar të njëjtit terror, dhunës dhe tmerreve në atdheun e tyre”.

Analistët e sigurisë thonë se ka gjasa që ISIS t’i ketë ndërmarrë sulmet me synimin për të shfrytëzuar tensionet që ka shkaktuar kriza e refugjatëve në Evropë.

XS
SM
MD
LG