Lidhje

Konfirmohet vrasja e organizatorit të sulmeve të Parisit


Abdelhamid Abaaoud

Abdelhamid Abaaoud

Personi i dyshuar si organizatori i sulmeve terroriste të Parisit është vrarë. Hetuesit francezë konfirmuan se Abdelhamid Abaahoud u vra gjatë një sulmi masiv dje në rrethinat e Parisit. Ndërkohë, ligjvënësit francez votuan sot për të zgjatur gjendjen e emergjencës për tre muaj në përgjigje të sulmeve të së premtes.

Prokurorët francezë kanë konfirmuar se organizatori i dyshuar për sulmet e javës së kaluar në Paris ishte mes të vrarëve në operacionin e policisë të mërkurën.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se trupi i Abdelhamid Abaaoud - shtetas belg me origjinë marokene - u gjet brenda apartamentit të sulmuar në përleshjet shtatë orëshe të policisë në Saint-Denis, në periferi të Parisit. Abaaoud, u identifikua nga shenjat e gishtrinjëve.

Të paktën tetë vetë u arrestuan gjatë sulmit. Një grua që u identifikua si kushërirë e Abaaudit, hodhi veten në erë. Tre policë u plagosën dhe u vra një qen i policisë.

Ndërkohë, ligjvënësit francezë votuan sot për të zgjatur gjendjen e emergjencës për tre muaj në përgjigje të sulmeve të së premtes.

Asambleja Kombëtare Franceze e miratoi vendimin, dhe senati pritet të votojë të premten.'

Para votimit, kryeministri Manuel Valls foli para ligjvënësve dhe paralajmëroi për rreziqet me të cilat përballet vendi, përfshi mundësinë e kërcënimit të armëve kimike dhe biologjike.

"Kreativiteti makabër i organizatorëve të tyre është i pafund. Armë luftarake, prerje kokash, bomba njerëzore, të gjitha këto. Dhe sot nuk mund të përjashtojmë asgjë; ekziston një rrezik të mundshëm për armë kimike apo bakteriologjike."

Presidenti François Hollande tha të mërkurën se zgjatja përfshin një nen që i mundëson autoritetet të mbyllin “çdo grumbullim” që përfshin xhamitë dhe grupet e komunitetit ku njerëzit “glorifikojnë terrorizmin” ose inkurajojnë kryerjen e akteve terroriste. Projektligji është kritikuar nga aktivistët e të drejtave.

Policia franceze tha sot se përsa kohë që është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, oficerët jo në detyrë lejohen të mbajnë armët e tyre për të mbrojtur civilët.

Kreu i agjencisë së koordinimit policor të Bashkimit Europian, Rob Wainwright, gjithashtu theksoi se sulmet në Paris shënojnë "një përshkallëzim shumë serioz" të terrorizmit në Evropë dhe janë një "deklaratë të qartë" e qëllimit të grupit të Shtetit Islamik për të sjellë markën e tij brutale të terrorit në kontinent.

Autoritetet belge nisën sulmet e tyre të enjten në disa pjesë të Brukselit në lidhje me Bilal Hadfin, i cili hodhi veten në erë jashtë stadiumit në Paris.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel gjithashtu njoftoi një paketë prej 427 milion dollarësh të masave të reja të sigurisë, duke përfshirë edhe planet për të burgosur militantët që kthehen nga Siria, duke ndaluar predikuesit e urrejtjes dhe mbylljen e vendeve të paregjistruara të besimit.

Michel kundërshtoi kritikat për shërbimet e sigurisë të vendit të tij, pasi Presidenti Hollande tha se sulmet e Parisit ishin planifikuar në Belgjikë.

"Unë nuk e pranoj kritikët që kërkojnë të denigrojnë shërbimet tona të sigurisë, të cilët bëjnë një punë të vështirë dhe të rëndë," tha ai në një fjalim në parlament.

XS
SM
MD
LG