Lidhje

Uashington, ekspozitë mbi teknologjinë


FILE - Model robotic hand with artificial mechanoreceptors, undated. (Courtesy: Bao Research Group, Stanford University).

FILE - Model robotic hand with artificial mechanoreceptors, undated. (Courtesy: Bao Research Group, Stanford University).

Amerika është një vend krenar i novacionit, thonë anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, të cilët kohët e fundit organizuan në ndërtesën e kapitolit një ekspozitë për të prezantuar zbulimet e reja të bëra nga studentë dhe kompani të reja amerikane. Ekspozita gjithashtu kishte për qëllim të nxisë zhvillimin e teknologjive të reja.

"Nëse ka një qeveri që investon në brezat e ardhshëm të vendit e jo vetëm në brezin e tanishëm, ajo duhet të jetë qeveria e Shteteve të Bashkuara".

Ligjvënësi republikan Rob Woodall, duke folur për disa nga shpikjet më të fundit të prezantuara në këtë ekspozitë të organizuar nga grupe ligjvënësish tha se qëllimi i ekspozitës është promovimi i robotikës dhe novacionit.

Në ekspozitë u prezantua një robot orientimi.

"Ky robot mund të lëvizë poshtë dhe lart nëpër dyqan. Ai njeh vendndodhjen e objekteve në rafte dhe mund të krijojë një hartë të një mjedisi të caktuar".

Ky robot ndihmon fëmijët me autizëm dhe ata që kanë probleme përqëndrimi.

"Nëpërmjet lojrave të ndryshme ne po përpiqemi të ndihmojmë fëmijët me këto probleme të mësojnë aftësi sociale".

Ndërsa ky dron mund t’u shpëtojë jetën njerëzve.

"Ky dron është ndërtuar për të gjetur municione të pashpërthyera".

Në ekzpositë u paraqitën zbulime të tjera si një skaner 3D për prodhimin e pajisjeve që mbrojnë veshët për marinën amerikane, dhe një gjarpër robot të pajisur me një aparat fotografik në kokë që mund të hyjë në tunele të ngushta.

Shumë përparime në fushën e robotikës dhe automatizimit vijnë nga qeveria dhe nga organizatat e mëdha, por Stephen Jurczyk, nga departamenti i teknologjisë në NASA, thotë se individë dhe grupe të vogla mund të japin kontribut të madh.

"Nëse sfidon njerëzit me ide dhe u jep mbështetjen e duhur teknike dhe financiare, befasohesh nga zgjidhjet që ata mund të ofrojnë".

Robotët tërhoqën shumë vizitorë, si ligjvënësin Dana Rohrabacher, i cili thotë se zhvillimi i teknologjive të reja është e vetmja mënyrë për të zgjidhur sfidat ekonomike të botës.

"Këta fëmijë nuk po ndërtojnë vetëm pjesë të reja të teknologjisë, ata po vendosin një standart më të lartë të jetesës".

Ligjvënësi Rohrabacher thotë se shtimi i pasurisë nuk kërkon vetëm shumë punë, por edhe zhvillim të teknologjisë që shumëfishon përpjekjet për punë.

XS
SM
MD
LG