Lidhje

Hollande merr mbështetje nga Putin


Russia France

Russia France

Presidenti francez François Hollande mori premtimin e presidentit rus Vladimir Putin për bashkëpunim në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Zoti Hollande bisedoi me zotin Putin në Moskë dje pasdite, pas takimeve të ngjashme me udhëheqësit amerikanë, britanikë, gjermanë dhe italianë. Por plani i presidentit francez për të krijuar një aleancë kompakte kundër grupit terrorist është komplikuar nga tensionet midis Turqisë dhe Rusisë.

Presidenti francez tha se terrorizmi është padyshim armiku i përbashkët i botës së qytetëruar.

"Ne e dimë, ai ka një emër, quhet Daesh, Shteti Islamik. Ai ka territor, ka një ushtri dhe burime, prandaj ne duhet të krijojmë këtë koalicion të madh, për të goditur këta terroristë," tha zoti Hollande.

Nga ana e tij, Presidenti i Rusisë premtoi bashkëpunim. Por interesat e Moskës në Siri, janë në konflikt me ato të Turqisë, anëtare e NATO-s, gjë që i minon përpjekjet e zotit Hollande. Pas rrëzimit nga Turqia të një avioni rus, zoti Putin akuzoi Ankaranë për blerjen nafte që ndihmon financimin e Shtetit Islamik.

"Disa njerëz vazhdojnë të nxjerrin për vete qindra miliona dhe miliarda dollarë," tha zoti Putin.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u përgjigj menjëherë:

"Ju duhet t’i diskutoni këto çështje me presidentin sirian Asad që ju mbështetni. Sepse Shteti Islamik i shet atij naftë dhe merr para prej tij. Burimi i tyre financiar është i qartë."

Rusia njoftoi dje se forcat e saj ajrore spastruan grupe kryengritëse siriane që veprojnë përgjatë kufirit turk afër vendit ku u rrëzua avioni rus. Bombardimi ka mundësi të acarojë më tepër Ankaranë, thotë analisti Peter Eltsov.

"Ato janë grupe të ndryshme që luftojnë kundër Asadit, që janë gjithashtu etnike turke."

Zoti Eltsov thotë se çdo koalicioni që mund të formojnë zoti Hollande do t’i mungojë uniteti, sepse udhëheqësit politikë duhet të gjejnë një qëllim të përbashkët në interesat e tyre.

“Është shumë e vështirë të thuhet se çfarë është më e rëndësishme për ta, axhenda e tyre gjeopolitike, çështjet e tyre të brendshme, sepse për shembull Erdogani e përdor nacionalizmin në të njëjtën mënyrë si Putini për agjendën e brendshme, për popullaritetin, për zgjedhjet, për çdo gjë."

Përveç kësaj, thotë analisti, Putin kërkon të mbjellë mospajtim mes anëtarëve të NATO-s.

"Kjo është edhe strategjia që ai ka ndjekur kohët e fundit, sidomos pas sulmeve të Parisit."

Gjatë vizitës së zotit Hollande në Uashington të martën, Presidenti Obama tha se Rusia mund të luajë një rol më konstruktiv në qoftë se ajo zhvendos fokusin e sulmeve dhe punon për të mposhtur Shtetin Islamik.

XS
SM
MD
LG