Lidhje

Turqi-Rusi, vazhdon lufta e fjalëve


Lufta e fjalëve mes Rusisë dhe Turqisë për rrëzimin e një avioni luftarak rus vazhdoi edhe të premten. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e paralajmëroi Moskën për të mos "luajtur me zjarrin."

Gjatë një fjalimi në qytetin verilindor turk Bileçik, zoti Erdogan akuzoi Rusinë se po "luan me zjarrin" duke sulmuar grupe që janë kundër presidentit sirian Bashar al-Asad "nën pretekstin" e luftës kundër Shtetit Islamik, dhe duke vënë në shënjestër në mënyrë "të papërgjegjshme" kamionë që veprojnë brenda Sirisë për "aktivitete biznesi ose ndihma humanitare."

Agjencia shtetërore turke e lajmeve dhe një organizatë turke ndihmash njoftuan të mërkurën se avionë rusë sulmuan një karvan ndihmash turke brenda Sirisë pranë kufirit me Turqinë, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 10.

Rusia ka reaguar me zemërim pas rrëzimit nga avionët luftarakë turq të një avioni rus të martën. Ajo ka kërcënuar marrëdhëniet midis dy vendeve në anët e kundërta të luftën në Siri, duke shkaktuar shqetësim për një konflikt më të gjerë ndërkombëtar.

Në komentet e tij të premten, zoti Erdogan duket se i bëri në përgjigje të presidentit rus Vladimir Putin, i cili një ditë më parë tha se ata që kryejnë "biznes kriminale" me terroristët dhe i përdorin ata "për të arritur qëllimet e tyre politike" janë "duke luajtur me zjarrin."

Zoti Erdogan akuzoi gjithashtu Rusinë se po e shfrytëzon rrëzimin e avionit si një justifikim për të ngritur "akuza të papranueshme" kundër Turqisë. Ai i quajti "shpifje"akuzat ruse se Turqia ble naftë nga grupi i Shtetit Islamik.

"Ju duhet ta dini se ne nuk jemi aq të pandershëm sa të blejmë naftë nga një organizatë terroriste," tha presidenti turk. "Turqia ble naftë nga Rusia."

Megjithatë, Zoti Erdogan tha se ai dëshironte të takohej me zotin Putin "ballë për ballë", të hënën në periferitë e samitit për klimën në Paris.

Zoti Putin nuk është përgjigjur. Por këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov përmendi të premten "mungesën e gatishmërisë nga ana turke për të ofruar një ndjesë elementare për incidentin me avionin."

Po të premten, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi anulimin e udhëtimeve pa viza ndërmjet dy vendeve, duke u shprehur se qeveria e Turqisë e kishte "kaluar cakun e asaj që është e pranueshme."

XS
SM
MD
LG