Lidhje

Vrasjet masive në Kaliforni


Obama

Obama

Çifti që kreu sulmin në San Bernadino të Kalifornisë duke lënë 14 të vrarë, kishte qëlluar me 75 fishekë dhe kishte lënë tre bomba artizanale dhe një pajisje të telekomanduar që me sa duket nuk kishte funksionuar. Këtë e konfirmuan autoritetet në San Bernadino, duke thënë se dy personat kishin me vete karikatorë me 1600 plumba kur u qëlluan për vdekje në makinën e tyre.

Në banesën e tyre ata kishin 12 bomba, pajisje për të bërë mjete plasëse dhe mbi 3 mijë plumba. Shefi i policisë Jarrod Burguan tha në një konferencë për shtyp ku lexoi inventarin e frikshëm të zotërimeve të çiftit, se rezultati mund të kishte qenë edhe më i rëndë, duke përfunduar me një “kasaphanë”.

28 vjeçari Syed Rizwan Farook, inspektor restorantesh dhe bashkëshortja e tij Tashfeen Malik, 27-vjeçare, hapën zjarr në një qendër shërbimesh sociale pak pasi dolën nga një festë që po zhvillohej tek qendra.

Disa orë më pas ata u qëlluan për vdekje disa kilometra larg qendrës në një përleshje të ashpër me armë zjarri me policinë.

Presidenti Obama tha se nuk përjashtohet mundësia që akti i djeshëm të jetë i lidhur me terrorizmin.

“Është e mundur që të jetë e lidhur me terrorizmin. Por ne ende nuk e dimë. Po ashtu mund të jetë një akt dhune i lidhur me vendin e punës”. Presidenti i bëri këto komente gjatë një takimi sot në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare.

Sulmi i kryer nga Syed Farook dhe Tashfeen Malik përfundoi me një shkëmbim zjarri me policinë që rrethoi makinën e tyre pas një ndjekjeje.

Policia tha se Farook, që punonte për departamentin e shëndetësisë së zonës, ishte në një festë për krishlindjet në qendrën rajonale Inland kur ndodhi incidenti.

"Ai ishte në festë dhe u largua para kohe. U tha se ishte i zëmëruar apo diçka e tillë. Ky është informacioni që po ndiqnim kur u ballafaquam me të pranë banesës së tij në Redlands, që çoi në ndjekjen dhe më pas në përleshjen me policinë. Siç e kemi konfirmuar ai është një nga personat e qëlluar për vdekje", thotë Jarrod Burguan", shefi i policisë së San Bernardinos.

Policia e përshkroi incidentin si terrorizëm të brendshëm. FBI-ja po shqyrton në se incidenti është i lidhur me ndonjë rrjet terrorist ndërkombëtar.

"E di se një pyetje që do të përsëritet është ajo në se ky është terrorizëm. Unë nuk jam gati ta them këtë me siguri. Po e shqyrtojmë këtë si një mundësi. Po bëjmë disa modifikime në hetimin tonë. Është mundësi por nuk e dimë ende me siguri" , thotë David Bowdich, zëvendës drejtor i FBI-së për Los Anxhelosin.

Sot para agimit, kunati i Farook-ut, Farhan Kahn, shprehu ngushëllime për viktimat gjatë një konference shtypi në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Los Anxheles.

"Nuk e kam idenë përse e bëri një gjë të tillë. Jam vetë i tronditur".

Policia dërgoi një robot pranë një shtëpie në lagjen Redlands në kërkim të eksplozivëve të mundshëm, por nuk pati njoftime për gjetjen e ndonjë lënde shpërthyese.

Ndërkohë, presidenti Barack Obama tha se duhet të ndërmerren hapa për të siguruar amerikanët, duke shtuar se zyrtarët në çdo nivel të qeverisë duhet të punojnë së bashku në mënyrë që këto ngjarje të jenë të rralla dhe jo normale.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG