Lidhje

Britania godet militantët në Siri


Britania ka ndërmarrë goditjen e parë ajrore ndaj militantëve të vetëquajtur Shteti Islamik në Siri në vazhdën e sulmeve të ngjashme që po ndërmerr në Irak prej më shumë se një vit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes përgëzoi vendimin britanik për zgjerimin e sulmeve edhe në Siri, ndërkohë që përshëndeti vendimin e Gjermanisë për të ofruar mbështetje të mëtejshme në fushatën ajrore.

Zyrtarët britanikë të mbrojtjes thanë sot se avionët luftarakë të nisur nga Qiproja zhvilluan sulme të suksesshme në Siri dhe u kthyen përsëri në bazë. Britania ju bashkua Amerikës dhe Francës në misionet ajrore që kanë objektiv militantët në Siri.

Mbrëmë, ligjvënësit britanikë, pas një debati dhjetë orësh, miratuan kërkesën e kryeministrit David Cameron për të marrë pjesë në sulmet ajrore.

“E kam të qartë se duhet të ndjekim një strategji gjithëpërfshirëse, që përfshin veprime politike, diplomatike dhe humanitare. E di që zgjidhja afatgjatë në Siri dhe Irak duhet përfundimisht të jetë qeverisja që përfaqëson gjithë popullin, e cila mund të punojë me ne për të mundur grupin militant Daesh.”

Anketat tregojnë se mbështetja britanike për veprimet ushtarake në Siri ka rënë në pikën më të ulët që nga shtatori i kaluar.

“Nuk është fare e nevojshme dhe ne nuk duhet të përfshihemi. Ka njerëz dhe shtete të mjaftueshme që po bombardojnë në Siri. Shumë civilë po humbasin jetët dhe mendja të shkon tek ata”, thotë një banore në Birmingham.

Kryeministri Cameron thotë se ndan shqetësimet me ata që kundërshtojnë viktimat mes civilëve nga sulmet ajrore. Kryeminisitri thotë se veprimet e Britanisë janë për të mbrojtur popullatën civile nga militantët e grupit Daesh. Prej më shumë se një viti, Britania ka goditur objektivat e Daeshit në Irak.

XS
SM
MD
LG