Lidhje

Gara republikane, Trump thellon epërsinë


Sipas një sondazhi të fundit të Universitetit Quinnipiac, manjati i pasurive të patundshme Donald Trump ka krijuar epërsinë më të thellë deri më tani, ndaj kandidatëve të tjerë të partisë republikanë. Sipas këtij sondazhi, zoti Trump kryeson me 27 për qind, i pasuar nga senatori Marco Rubio nga Florida me 17 përqind dhe në vend të tretë janë Ben Carson dhe senatori nga Teksasi Ted Cruz, me nga 16 përqind. Ngritja e vazhdueshme e zotit Trump në anketa vjen pavarësisht se kohët e fundit ai është ndeshur me kritika dhe shumicën e kohës ka mbrojtur qëndrimet e tij të debatueshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell hollësitë.

Donald Trump vazhdon të thellojë epërsinë ndaj kandidatëve të tjerë republikanë, pjesërisht për shkak aftësisë së tij për të paraqitur në mënyrë tërheqëse dhe zbavitëse idetë e tij.

"Kjo është ajo që unë e quaj një mbështetje të vërtetë".

Por zoti Trump po vëzhgohet nga afër pas komenteve të tij se mijëra muslimanë në Nju Xhërsi kanë festuar në ditën e sulmeve të 11 shtatorit, edhe pse për këtë nuk ka prova të besueshme.

"Unë e thashë qartë dhe saktë, kam thënë se ka patur njerëz që kanë vallëzuar në rrugë dhe mbi çatitë e shtëpive".

Rivalët e tij, duke përfshirë guvernatorin e Nju Xhërsit, Chris Christie, e panë këtë si një mundësi për ta kritikuar zotin Trump.

"Kjo nuk ka ndodhur dhe ju e dini. Njerëzit mund të thojnë çfarë të duan, por faktet janë fakte dhe kjo nuk ka ndodhur në Nju Xhërsi atë ditë dhe nuk ka ndodhur asnjëhërë që nga ai vit".

Por zoti Trump refuzon të tërhiqet.

"Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh falje. Por për të këkuar falje ju së pari duhet të bëni një gabim".

Mbështetësit e zotit Trump shpesh konfrontohen me kundërshtarët e tij dhe shumica e tyre nuk duken të shqetësuar nga retorika e tij e ashpër, thotë analisti Bill Galston.

"Njerëzit janë të zemëruar me paaftësinë e qeverisë për të bërë punën e saj. Ata janë të shqetësuar për të ardhmen. Ata janë të frikësuar nga kërcënimet jashtë vendit".

Retorika zotit Trump dhe stili i tij agresiv e dallojnë atë nga kandidatët e tjerë, thotë John Fortier.

"Kjo është pjesërisht për shkak se ai e prezanton veten si një kandidat që thotë të vërtetën kundër të gjithë atyre që janë politikisht korrekt ose të lëkundur dhe kjo strategji të ndihmon të fitosh mbështetjn e një pjese të mirë të elektoratit të partisë Republikane".

Por analisti politik, Stuart Rothenberg parashikon se mbështetja për zotin Trump do të zbehet.

"Në fazat e hershme është e lehtë të votosh bazuar në zëmërimin që ke. Por më afrimin e zgjedhjeve shumë njerëz fillojnë të mendojnë se ata në të vërtetë duan një ndryshim të sigurt".

Megjithatë, deri më tani ekspertët dhe rivalët e tij kanë nënvlerësuar fuqinë e zotit Trump.

XS
SM
MD
LG