Lidhje

Trump: Të ndalohet hyrja e myslimanëve në Amerikë


Kandidati republikan për president Donald Trump bën thirrje për “ndalimin e plotë” të myslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, deri sa udhëheqësit e vendit “të sqarojnë se çfarë po ndodh”.

Zoti Trump thotë se anketat tregojnë se ekziston “urrejtje ndaj amerikanëve nga segmente të shumta të popullsisë myslimane”.

“Deri sa të sqarojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin e rrezikshëm që ai paraqet, vendi ynë nuk mund të bëhet viktimë e sulmeve të tmerrshme nga njerëz që besojnë vetëm tek xhihadi, që nuk pranojnë asnjë llogjikë dhe nuk kanë respekt për jetën”, shprehet zoti Trump.

Nuk është hera e parë që Donald Trump bën deklarata armiqësore kundër myslimanëve. Ai i ka bërë thirrje qeverisë të vëzhgojë xhamitë dhe nuk ka pranuar të tërhiqet nga një propozim i mëparshëm për të futur gjithë emrat e myslimanëve në listë.

Por të hënën, deklarata e tij ishte një përshkallëzim, edhe e krahasuar me standardet e retorikës së tij të ashpër, që i drejtohej besimtarëve islamikë, pas sulmeve terroriste në Paris dhe në Kaliforni.

Deklarata e zotit Trump, u bë një ditë pasi Presidenti Obama u kishte bërë thirrje amerikanëve që të mos kthehen kundër myslimanëve pas sulmeve të fundit terroriste.

Shtëpia e Bardhë e dënoi me shpejtësi propozimin e zotit Trump, duke e quajtur atë “plotësisht në kundërshtim me vlerat tona si amerikanë”.

“Karta jonë e të Drejtave respekton lirinë e fesë”, tha Ben Rhodes, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit Obama.

Reagimi i kandidatëve për president

Komentet e zotit Trup u dënuan edhe nga kandidatët e tjerë presidencialë.

Ish guvernatori i Floridës, Jeb Bush, perms një mesazhi në Tweeter shkruante se Donald Trump “ka luajtur mendësh ….qëndrimet e tij politike nuk janë serioze”.

"Ky është një propozim qesharak, që nuk do të sillte asnjë përfitim”, tha guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie.

Lindsey Graham tha se Donald Trump "ka kaluar nga komente absurde në qëndrime që e bëjnë atë të rrezikshëm me retorikën bombastike”.

Ibraham Hooper, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islamike, ishte veçanërisht i ashpër në kritikën e tij ndaj zotit Trump.

"Ne po hyjmë kështu në një territor fashist”, tha ai. Komente të tilla “duhet të jenë shqetësuese jo vetëm për myslimanët amerikanë, por për gjithë amerikanët, që kryesuesi i republikanëve në garën presidenciale bën praktikisht deklarata fashiste, si kjo”.

XS
SM
MD
LG