Lidhje

42 milionë euro për hekurudhat e Kosovës


Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime nënshkruan të martën një marrëveshje për një kredi prej 42 milionë eurosh për ripërtëritjen e hekurudhave të Kosovës.

Marrëveshja e sotme çon në mbi 80 milionë euro investimet e kësaj banke dhe Komisionit Evropian për nisjen e modernizimit të hekurudhës 148 kilometërshe në Kosovë, duke e lidhur atë me rrjetin evropian.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, tha se “ky projekt do të bëjë rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore që përshkon Kosovën nga kufiri jugor me Maqedoninë, deri në kufirin verior me Serbinë, me gjithsej 148 km. Ky projekt paraqet investimin më të madh të bërë ndonjëherë në rrjetin hekurudhor dhe pritet të kapë vlerën prej rreth 208 milionë eurosh”.

Kredia e sotme i shtohet kredisë prej 39.9 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, marrëveshja me të cilën ishte nënshkruar në fillim të muajit shtator. Ministri i financave tha se kushtet e kredisë janë mjaft të volitshme, me një afat kthimi prej 25 vjetësh dhe një kamatë prej rreth 1 për qind.

Projekti për modernizimin e hekurudhës është përfshirë në pakon për investime të aprovuar në takimin për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit 2015, pjesë e konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG