Lidhje

Debati për luftën kundër Shtetit Islamik


Speaker of the House Paul Ryan, Dec 3, 2015.
Speaker of the House Paul Ryan, Dec 3, 2015.

Administrata Obama thotë se po shton presionin ushtarak ndaj militantëve të Shtetit Islamik, por se vazhdon të jetë kundër vendosjes së një force të konsiderueshme amerikane në territorin e Irakut apo Sirisë, megjithë aftësinë në rritje të ISIS-it për të frymëzuar sulme në territorin amerikan. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter dëshmoi për këtë çështje në Komitetin e Senatit për Forcat e Armatosura.

Pavarësisht sulmeve terroriste në Paris dhe në San Bernardino të Kalifornisë, sipas Sekretarit Carter, dërgimi i njësive tokësore ushtarake për të luftuar Shtetin Islamik do të ishte i gabuar.

“Duke i amerikanizuar konfliktet në Irak dhe Siri, mund të kthejmë kundër nesh edhe ata që janë të predispozuar të luftojnë ISIL-in.”

Kryetari i komitetit u përgjigj me padurim.

“Kërcënimi i ISIL-it për vendin tonë është real, i drejtpërdrejtë, dhe në rritje. Nuk po e fitojmë këtë luftë, dhe koha po punon kundër nesh.”

Sekretari Carter tha se SHBA po intensifikon fushatën kundër Shtetit Islamik nëpërmjet sulmeve ajrore dhe forcave speciale. Kreu i demokratëve në këtë komitet tha se forcat tokësore duhet të ofrohen nga aleatët e SHBA-së në rajon.

“Vendosja e njësive të shumta amerikane në territorin e Irakut dhe Sirisë mund të favorizojë direkt apo indirekt propagandën e ISIL-it.”

Dëgjesa u bë pak ditë pasi një ndër kandidatët kryesorë republikanë, senatori Ted Cruz, tha se Shteti Islamik duhet bombarduar deri në shfarosje. Ndërkohë, demokratët shprehën shqetësim për viktimat e mundshme në popullsinë civile, nëse kjo ndodh.

Sipas Pentagonit, ky lloj bombardimi masiv nuk është alternativë.

“Është e qartë prej strategjisë së ISIL-it se objektivi i tyre është të na përfshijnë në një luftë apokaliptike me Perëndimin. Nëse ne ushqejmë këtë lloj mendimi, atëherë kjo do të kthehej kundër sigurisë tonë kombëtare.”

Zoti Cruz nuk është tërhequr nga komentet e tij dhe e ka akuzuar administratën Obama për shmangie nga detyra në luftën kundër Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG