Lidhje

Bota reagon ndaj komenteve të kandidatit Trump


Kompleksi Trump Towers në Stamboll

Kompleksi Trump Towers në Stamboll

Propozimi nga kandidati kryesor republikan në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump që të gjithë myslimanët të ndalohen për t’u futur në SHBA, ka shkaktuar një reagim të zemëruar në gjithë botën.

Në Britani, një peticion zyrtar në internet ku bëhet thirrje që atij t’i ndalohet hyrja në vend, ka mbledhur mbi 100 mijë firma, çka do të thotë se do të shqyrtohet mundësia e debatimit të tij në parlament.

Tasmina Ahmed-sheikh, ligjvënëse britanike:

“Ne kemi ndaluar 84 predikues të urrejtjes të hyjnë në këtë vend. Pikëpamja ime është se ajo që tha Donald Trump është gjuhë urrejtjeje. Prandaj kërkesa ime ndaj qeverisë është: ‘le ta shqyrtojmë mundësinë që ai të jetë i 85-i’”.

Zoti Trump tha se në disa lagje myslimane në Londër, policët druhen për jetën e tyre. Në një ndërhyrje të rrallë, kryeministri britanik David Cameron dhe Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson dënuan komentet e tij si të keqinformuara dhe përçarëse.

Në Paris, plagët psikologjike të shkaktuara nga sulmet terroriste të Shtetit Islamik janë ende të hapura. Por shumë parizienë i dënuan komentet e zotit Trump.

Mathilda Adrovic, banore e Parisit:

“Ai nuk duhet të ketë vend në politikën amerikane”.

Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane të botës. Banorët në Xhakarta, menjëherë hodhën poshtë pretendimin e zotit Trump se myslimanët përbëjnë rrezik.

Anis Ekayani, banore e Xhakartës:

“Feja myslimane na mëson që të bëjmë gjithnjë mire për njerëzit e tjerë. Prandaj komenti i Trumpit është shumë i papërshtatshëm sepse reflekton një qëndrim që bie ndesh me Islamin”.

Zoti Trump ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin marrë nën kontroll fushat irakiane të naftës dhe t’ua kishin dhënë fitimet veteranëve amerikanë të luftës. Prandaj propozimi i tij për të ndaluar myslimanët është pritur me zemërim nga irakianët.

Abbas al-Bayati, ligjvënës irakian:

“Komentet e Trumpit janë raciste dhe nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë amerikane”.

Shtetet e Bashkuara ofrojnë numrin më të madh të vendeve për sistemimin e refugjatëve në botë, në bazë të programeve të Kombeve të Bashkuara.

Nga selia e saj në Gjenevë, UNHCR-ja tha se ky shembull nga Shtetet e Bashkuara minohet nga komentet e Trumpit.

Melissa fleming, zëdhënëse e UNHCR-së:

“Dhe ne jemi të shqetësuar se retorika që po përdoret në fushatën e zgjedhjeve po e vë në rrezik këtë program kaq të rëndësishëm të sistemimit të refugjatëve”.

Analistët thonë se komentet e zotit Trump kanë shkaktuar një reagim kaq të fuqishëm global, pjesërisht sepse ai është në krye të sondazheve për emërimin presidencial të Partisë Republikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG