Lidhje

Tensionet Rusi – Turqi


The Bosphorus and Dardanelles waterways in Turkey

The Bosphorus and Dardanelles waterways in Turkey

Shkallëzimi i tensioneve mes Moskës dhe Ankarasë mbi rrëzimin muajin e kaluar të një avioni luftarak rus nga avionët turq po kërcënon të ringjallë një rivalitet të vjetër lidhur me qasjen në ujrat e Bosforit dhe Dardaneleve të Turqisë. Kjo ngushticë e lundrueshme është çelësi për tregtinë ruse dhe marinën e saj, në veçanti për furnizimin e bazave të saj në Siri.

Ngushtica detare 30-kilometërshme e Bosforit, që e ndan Stambollin në gjysmë, është porta nga Deti i Zi për në ujërat ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e naftës ruse kalon nëpërmjet saj, po ashtu edhe flota e Detit të Zi, që tani furnizon forcat ruse në Siri. Kjo është arsyeja pse kjo ngushticë detare është bërë çështja qendrore e rritjes së tensioneve mes Ankarasë dhe Moskës.

Ambasadori turk në pension Murat Bilhani paralajmëron se kufizimi i qasjes në Bosfor mund të bëhet një alternativë për Ankaranë.

"Në rast të një konflikti të përshkallëzuar me Rusinë, Turqia mund ta përdorë këtë kartë, sepse, sipas Marrëveshjes së Montrosë, në qoftë se Turqia merr pjesë në një konflikt, palës tjetër në konflikt nuk i lejohet të kalojë në ujrat e Bosforit. Natyrisht, kjo është një kartë shumë e rrezikshme."

Përdorimi i rrugëve ujore të Bosforit dhe Dardaneleve është garantuar sipas Konventës së vitit 1936 nënshkruar në Montro të Zvicrës. Ankaraja asnjëherë nuk e ka bllokuar qasjen në këto ngushtica. Por mediat ruse kanë akuzuar autoritetet turke se kanë vonuar qëllimisht kalimin e disa anijeve; akuzë që Ankaraja e mohon.

Shkencëtari politik Cengiz Aktar i Universitetit Sulejman Shah të Stambollit paralajmëron se nëse Ankaraja përdor ngushticat kundër Moskës, ajo mbart rreziqe të mëdha.
"Kjo do të krijojë tension të madh ndërkombëtar. Por dua të them që ne nuk e dimë se si do të reagojë Ankaraja. Gjasat janë të mëdha dhe të hapura."

Vëzhguesit paralajmërojnë se çdo ndërhyrje në lidhje me përdorimin e ngushticave mund të rezultojë në thirrje për rishikimin e Marrëveshjes së Montrosë, diçka që Ankaraja është e prirur për ta shmangur. Por tensionet u shtuan më tej këtë javë me shfaqjen e një fotografije të një marinari rus në një luftanije tranziti në Bosfor, i cili mbante mbi sup një raketë portative tokë-ajër. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu e quajti foton një provokim, duke paralajmëruar veprimeve të papërcaktuara.

Ambasadori turk në pension Bilhani vë në dukje se Ankaraja mund të luajë kartën e mjedisit për të bllokuar trafikun në ngushticat ujore.

"Çisternat e mëdha, çisternat transoqeanike janë duke u bërë rrezik për ngushticat, veçanërisht në Stamboll. Stambolli ka një popullsi prej 18 milionë banorësh."

Ndërsa Moska dhe Ankaraja kanë intensifikuar mbështetjen e tyre për palët kundërshtare të luftës civile në Siri dhe ndërsa ngushica e lundrueshme është një rrugë jetike për furnizimin e bazave ruse në Siri, vëzhguesit paralajmërojnë se kjo zonë duket e destinuar të mbetet një pikë tensioni mes të dy palëve.

XS
SM
MD
LG