Lidhje

Çmimi Lantosh për të Drejtat e Njeriut


Tre gra kurajoze nga pjesë të ndryshme të botës, janë bërë mbrojtëse të të drejtave të njeriut prej shumë vitesh. Por në të njëjtën kohë ato janë përballur me burgosje, kërcënime për vdekje dhe u është dashur të fshihen nga frika për sigurinë e tyre. Dje në Uashington ato u nderuan për guximin e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Pas burgosjes...kërcënimeve me vdekje…dhunës dhe martesave të detyruara...këto tre gra vazhdojnë luftën.

Përballë pengesave të pakrahasueshme, Rebiya Kadeer, Irshad Manji dhe Ayaan Hirsi Ali sfiduan normat dhe vendosën të ngrenë zërin.

Ato u nderuan me çmimin Lantosh për të Drejtat e Njeriut, emri i kongresmenit amerikan Tom Lantosh, i vetmi i mbijetuar i Holokaustit që është zgjedhur ndonjëherë në Kongres dhe një mbrojtës i flaktë i të drejtave të njeriut në mbarë botën. Fondacioni Lantosh jep çmimet çdo vit.

Ayaan Hirsi Ali ishte viktimë e abuzimit, përfshi gjymtimin e organeve femërore. Ajo u detyrua të martohej para se të largohej nga Somalia për në Hollandë. Atje, nga një pastruese ajo arriti të bëhej anëtare e parlamentit hollandez. Ayaan Hirsi Ali thotë se asnjë fe apo kulturë nuk justifikon abuzimin e grave.

“Fakti që feja ime, feja me të cilën u rrita – nuk jam më muslimane, por feja me të cilën u rrita -- përdoret si mjet për të vrarë, për të përdhunuar, për të përhapur ndjenjat anti-semite, për të hedhur homoseksualët nga ndërtesat, është e turpshme dhe ndjej përgjegjësinë të dal dhe të them e të bëj diçka për këtë.”

Irshad Manji, muslimane kanadeze, është zëri që bën thirrje për reformimin e Islamit. Ajo ka marrë disa kërcënime me vdekje. Ajo i tha Zërit të Amerikës se ky çmim është për të gjithë njerëzit.

“Ky çmim për mua përfaqëson cilësinë e rrallë që besoj se çdo njeri ka aftësinë të zhvillohet por shumë nga ne nuk ja japim vetes lejen për t’u zhvilluar, dhe kjo është kurajoja morale që do të thotë të bësh gjënë e duhur përballë frikës.”

Rebiya Kadeer luftoi për të drejtat e ujgurëve, një popullate e shtypur muslimane në Kinë. Ajo njihet me emrin “Nëna e të gjithë Ujgurëve”. Përpjekjet e saj e çuan atë në burg për gjashtë vjet.

Tre gra, që gjetën mënyrën për të lënë pas frikën dhe siç thotë Kadeer, më në fund e kuptuan se ajo ishte mënyra për të jetuar.

XS
SM
MD
LG