Lidhje

Të drejtat e punëtorëve në Katar dhe korrupsioni në FIFA


ı

ı

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, thotë se korrupsioni në FIFA po shmang vëmendjen ndaj abuzimeve me punëtorët emigrantë që po punojnë në ndërtimet e Kupës së Botës 2022.

Amnesty International thotë se në muajt e fundit, Katari ka patur përparim në përmirësimin e disa të drejtave të punëtorëve emigrantë. Sipas një sistemi që synon mbrojtjen e pagave, kompanitë e mëdha tashmë duhet të paguajnë rregullisht punonjësit e tyre nëpërmjet transfertave elektronike, duke mënjanuar kështu aspektin e pagave të vonuara apo të munguara.

Por, sipas Amnesty International, ka ende boshllëqe në legjislacion.

“Punëtorët më të abuzuar në Katar janë të punësuarit nga kompanitë e vogla. Mund të jenë me një vizë tre-mujore, ose të punësuar në mënyrë jo të ligjshme. Është e vështirë t’i mbikqyrësh këto kompani dhe ligji nuk mbulon këtë pjesë të punëtorëve.”

Në Katar ndodhen rreth 1.5 milionë punëtorë emigrantë. Shumica punësohen nëpërmjet sistemit të quajtur “kafala”, ku punëdhënësi është përgjegjës për statusin e tyre ligjor. Kjo ka krijuar abuzime të mëdha, madje edhe konfiskim të pasaportave të punonjësve.

“Punëdhënësi ka fuqinë të kontrollojë se ku shkon punëtori, kur largohet nga vendi, dhe nëse mundet të bëjë punë tjetër. Kjo i jep një pushtet të jashtëzakonshëm.”

Z. Qadri akuzon FIFA-n se po u shmanget përgjegjësive të saj.

“Jemi të shqetësuar që fokusimi tek akuzat për korrupsion ndaj udhëheqjes së FIFA-s po e largon vëmendjen nga përgjegjësitë e saj për të drejtat e njeriut.”

Katari ka refuzuar pretendimet se ka paguar zyrtarët e FIFA-s për të fituar organizimin e Kupës së Botës 2022, dhe komiteti i etikës së FIFA-s vendosi në nëntor se nuk pati shkelje të mëdha të rregullave.

Policia zviceriane po heton akuzat ndaj ish-kreut të FIFA-s Sepp Blatter, ndërsa shumë zyrtarë të tjerë po hetohen nga autoritetet amerikane.

Kryeprokurorja amerikane Loretta Lynch bëri thirrje nga Londra për reformim të plotë.

“Çdo vend anëtar ka detyrim të marrë pjesë në reformimin e FIFA-s.”

Një nga të akuzuarit, Jose Luiz Meiszner, ish-kreu i federatës së Afrikës së Jugut, u paraqit këtë javë në një seancë gjyqësore në Argjentinë, ku do të vendoset nëse do të ekstradohet për në SHBA.

XS
SM
MD
LG