Lidhje

Rriten tensionet mes Rusisë dhe Turqisë


Kapiteni i një anije turke peshkimi që operon në ujërat ndërkombëtare, tha sot se ndaj anijes së tij nuk është qëlluar me të shtëna paralajmëruese nga destrojeri rus në Detin Egje. Dje Rusia tha se një anije e saj luftarake që po lundronte në Detin Egje ishte detyruar të qëllonte në mënyrë paralajmëruese ndaj një anije turke peshkimi për të shmangur një përplasje me të.

Ministria e Mbrojtjes ruse tha dje se destrojeri Smetlivy, ishte detyruar të hapte zjarr paralajmërues ndaj një anije turke në ujërat ndërkombëtare në Detin Egje për të shmangur një përplasje dhe se ajo kishte thirrur atasheun ushtarak turk për t’i shprehur shqetësimin mbi incidentin.

Në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, thuhet se anije turke e peshkimit, të cilën nuk e identifikoi, nuk u ishte përgjigjur paralajmërimeve fillestare, por ndryshoi kurs pas të shtënave paralajmëruese duke bërë një kthesë rreth 500 metra larg luftanijes ruse.

Por Muzafer Gecici, kapiteni i anijes turke të peshkimit Geciciler-1, tha se ai nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë paralajmëruese.

"Ne kemi parë disa anije, por ne nuk e dinim cilit vend i përkisnin. Ne lundruam afër, mblodhëm rrjetat e peshkimit dhe fjetëm. Më vonë, mësuam nga lajmet se një anije ruse kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj nesh. Ne nuk i kemi dëgjuar të shtënat paralajmëruese. Ne thjeshtë pamë një anije. E dinimi që ajo nuk ishte anije turke dhe menduam se ndoshta është një anije e NATOs", tha kapiteni Gecici.

Më vonë njesitë e rojes bregdetare turke biseduan me anëtarët e bordit të anijes së peshkimit për të marrë informacione mbi ngjarjen.

"Pas kësaj, roja bregdetare erdhi dhe kërkoi informacione. Ne u dhamë atyre hartën e lundrimit dhe një deklaratë mbi ngjarjen. Është shumë e lehtë të shihni lëvizjet tona në det pasi ato janë të regjistruara. Ne kryesisht punojnë në ujërat ndërkombëtare dhe ato turke".

Incidenti i djeshëm ka të ngjarë të rrisë tensionet mes dy vendeve të cilat kanë mosmarrëveshje serioze rreth konfliktit në Siri dhe rrëzimit të një avioni ushtarak rus nga forcat turke, muajin e kaluar.

Më herët këtë muaj, Turqia i shprehu Rusisë shqetësimin e saj mbi një incident në të cilin një marinar rus është fotografuar duke mbajtur në sup një raketa-hedhës të drejtuar nga Stambolli, ndërsa anija ruse po kalonte në ngushticën e Bosforit pranë Stambollit.

XS
SM
MD
LG