Lidhje

Tiranë, opozita protestë para parlamentit


Debate edhe brenda në sallë mes shumicës dhe deputetëve demokratë

Në Shqipëri që prej orës 10.00 të ditës së sotme përkrahës të opozitës i janë përgjigjur thirrjes së partisë demokratike për të protestuar përpara parlamentit, i cili sot do të duhet të votojë për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, e ka konsideruar propozimin e qeverisë si një katastrofë, e kjo sipas tij, është një arsye më tepër për të mbështetur kërkesën e opozitës për një qeveri teknike që të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Manifestuesit herë pas herë kanë lëshuar vezë, domate apo mandarina në drejtim të hyrjes së parlamentit, ku është vendosur një kordon i dendur forcash policie. Mes manifestuesve ishte dhe kryetari i opozitës Basha, ndërsa deputetët e tij lëviznin sa nga foltorja e parlamentit te podiumi i protestës duke ju drejtuar pjesmarrësve.

Kjo është protesta e dytë e organizuar në harkun e 10 ditëve, ndërsa një tjetër manifestim është njoftuar për ditën e hënë. Protesta e 8 dhjetorit u mbyll me djegien e një bunkeri të ndërtuar pranë ministrisë së Brendshme, si pjesë e një projekti për të hapur për publikun tunelet e nëndheshme të ndërtuara në kohën e diktaturës.

Nga salla e parlamentit ish kryeministri Sali Berisha përdori tone kërcënuese kur tha se “durimi i qytetarëve ka një kufi. Ndaj është mirë që paqësisht të marrim parasysh kërkesat e tyre. Ndryshe revolucioni demokratik nuk ka të ndalur, dhe si bëri 25 vjet më parë, do bëj akoma më keq me bijtë e etërve të tyre”.

Më pas duke ju drejtuar kryeministri Edi Rama, zoti Berisha tha se “flakët e bunkerit ishin shprehje e urrejtjes ndaj kryeministrit”. Ky i fundit u përgjigj se “sa për revoltën popullore, duhet të gjesh aftësinë të lexosh 2013, e 2015 e bëhu gati dhe për 2017”, deklaroi kryeministri duke ju drejtuar zotit Berisha.

Një debat i gjatë u zhvillua edhe rreth medaljeve me të cilat u vlerësuan ndër të tjerëve, gjatë viti të shkuar edhe disa persona që kanë qenë pjesë e strukturave të ish sigurimit të shtetit. Kryeministri Rama përsëriti dhe një herë se gjithshka kishte ndodhur pasi lista e atyre që morën medalje për pjesmarrje në luftën e Dytë botërore, kish qenë formuluar që më parë me një vendim qeverie në vitin 1995, kur në pushtet ishin demokratët. “Unë kërkova ndjesë për një faj që është bërë nga kryeakuzatori”, duke folur për zotin Berisha. Ky i fundit kundërshtoi deklarimet e kryeministrit dhe kërkoi që parlamenti të hartonte një rezolutë që të detyronte qeverinë që t’i tërhiqte medaljet. Por sipas zotit Rama, propozimi i opozitës vinte shumë vonë “sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin edhe të gjithë punën e nevojshme e kemi nisur, jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin dhe vendimet e Saliut, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njejtin qorrsokak”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, protesta para parlamentit u mbyll pas afër katër orësh, me një fjalim të kryetarit të opozitës Basha, sipas të cilit “është ekonomia ajo që ka rrëzuar qeverinë”, duke përmendur humbjen sipas tij të qindra mijëra vendesh pune, varfërinë e përhapur në cdo shtëpi shqiptari, ndërsa “një grusht njerëzish që kanë plackitur si një bandë hajdutësh janë pasuruar”, tha ai. Zoti Basha përsëriti se protestat do të vazhdojnë për të bërë të mundur një qeveri teknike e cila të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, “sepse sot beteja nuk është mes PD-së e PS-së dhe LSI-së, por e gjithë shqiptarëve, demokratë e socialist, kundër një grusht oligarkësh, kusarësh e kriminelësh”, nënvizoi zoti Basha në mbyllje të fjalës së tij, ndërsa para se të largohej i dha dorën policëve të rreshtuar në hyrje të parlamentit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG