Lidhje

Rumani, mburojë për mbrojten nga raketat


Në Rumani, ka përfunduar ndërtimi i objektit të ri për mbrojtjen nga raketat balistike ndërsa Marina amerikane mori kontrollin pas disa vitesh pune për ndërtimin e tij. Sistemi i ri ka për qëllim interceptimin dhe eleminimin e raketave që kanë në shenjestër Evropën.

Sistemi amerikan për mbrojtjen nga raketat në bazën ushtarake Deveselu në jug të Rumanisë ka përfunduar, sipas dekleratave të sotme të zyrtarëve amerikanë dhe atyre rumunë. Mburoja do të shërbejë si ombrellë kundër sulmeve të mundshme nga jashtë Evropës.

Nënadmirali amerikan James Syring është Drejtor i Agjencisë së Mbrojtjes nga Raketat.

“Ky sistem është arritje e madhe në përshtatjen e raketave të Marinës Aegis BMD. Sistemi do të ketë aftësinë për lëshimin e disa lloj raketash.”

Në ceremoninë e sotme, ambasadori amerikan në Rumani, Hans Klemm theksoi se mburoja nuk ka si objektiv Rusinë apo aftësi që e bëjnë kërcënuese për atë vend.

“Ky sistem ka për qëllim të luftojë kërcënimet që vijnë nga jashtë Evropës. E përsëris që ky sistem nuk i drejtohet Rusisë dhe as që ka aftësitë për ta kërcënuar atë vend.”

Prej kohësh, Kremlini e ka quajtur sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat si kërcënim serioz për Rusinë, duke hedhur poshtë pohimet e Uashingtonit se qëllimi kryesor është mbrojtja nga kërcënimet e mundshme iraniane. Sipas zyrtarëve amerikanë, sistemi me bazë në Rumani ende ka nevojë të integrohet në arkitekturën gjigande të NATO-s për mbrojtjen nga raketat. Krahu detar i mburojës përbëhet nga asgjësues të raketave balistike të instaluar në Rota të Spanjës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG