Lidhje

Politika e jashtme e Presidentit Obama në 2015


Pranë përfundimit të mandatit të tij, Presidenti amerikan Barack Obama e kaloi vitin 2015 i përqendruar në nisma të politikës së jashtme që synojnë transformimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në rajone kyçe të botës.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Aru Pande u hedh një vështrim atyre që analistët thonë se janë arritjet e zotit Obama deri tani dhe sfidat që i mbeten në gjithë globin.

Nga ngritja e flamurit amerikan në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Havanë për herë të pare në gjysmë shekulli, tek përpjekjet për të negociuar një marrëveshje historike bërthamore me Iranin, ishte një verë e mbushur me diplomacy për Presidentin Obama.

Ja ç’thotë Bruce Jones i Institutit Brookings.

“Nëse vitin që vjen shohim se gjërat lëvizin në një drejtim pozitiv lidhur me Iranin, Kubën, Ukrainën, atëherë besoj se të gjithë do të shohim pas dhe do të themi se Obama e vërtetoi argumentin e tij: se lëvizjet politike dhe diplomacia e Shteteve të Bashkuara me të vërtetë mund të sjellë ndryshim”.

Do të kalojnë muaj, në mos vite, para se të shihen qartë se sa të suksesshme do të jenë marrëveshjet me Kubën, Iranin dhe Partneriteti Trans-Paqësor.

Megjithatë zoti Jones, thotë se përpjekjet e Presidentit Obama për të mobilizuar botën për të marrë masa për ngrohjen globale, përfshirë negociatat për një marrëveshje me Pekinin për të ulur sasinë e gazeve të dëmshme, kanë pasur një efekt më të menjëhershëm, me miratimin nga 200 vende të një marrëveshjeje historike për klimën në Paris.

“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy nga çliruesit më të mëdhenj të gazeve në botë, bien dakord për një qëndrim dypalësh për të filluar procesin e reduktimit, kjo transformoi negociatat globale dhe tregoi se ç’do të thotë kur dy faktorët kryesorë udhëheqin së bashku”.

Por ndërsa Presidenti Obama shënon një vit të karkaterizuar nga diplomacia, Lindja e Mesme vazhdon të jetë sfida më serioze për trashëgiminë e tij në politikën e jashtme.

Vikram Singh punon për Qendrën Amerikane për Progres:

“Bëhet fjalë për shpërbërjen e vendeve në gjithë atë rajon me rëndësi strategjike dhe mënyrën e reagimit të Shteteve të Bashkuara dhe botës, kjo është diçka që mbetet në amulli dhe për të cilën askush nuk ka arritur të gjejë një formulë magjike”.

Me trazirat në Libi dhe Jemen tek fuqizimi i grupit ekstremist Shteti Islamik në Irak dhe Siri, një president që erdhi në fuqi me synimin për t’u dhënë fund luftrave në Lindjen e Mesme, tani e gjen veten të angazhuar thellë në konflikte rajonale, që do të vazhdojnë të ziejnë në përfundim të presidencës së tij.

XS
SM
MD
LG