Lidhje

Debati i pretendetëve demokratë për president


Mbrëmë, kandidatët demokratë për president në debatin e tyre të fundit në Nju Hempshir u fokusuan në çështjet ekonomike dhe luftën kundër Shtetit Islamik. Senatori nga Vermonti Bernie Sanders dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, shprehën mbështetje për idenë e krijimit të një koalicioni për të mposhtur Shtetin Islamik.

Pretendentët demokrat për Shtëpinë e Bardhë shkëmbyen replika të ashpra në debatin e mbrëmshëm në shtetin Nju Hempshir. Pikat kyçe ishin politika e jashtme dhe çështjet ekonomike.

Kryesuesja e garës Hillary Clinton dhe kundërshtari i saj kryesor, senatori nga Vermonti Bernie Sanders, u përqendruan tek nevoja për të mundur grupin terrorist të vetquajtur Shteti Islamik. Kandidatja demokrate Hillary Clinton:

“Kam një strategji për të luftuar dhe mundur ISIS pa u futur në një tjetër luftë në terren.”

“Një strategji që shkatërron ISIS dhe që nuk na fut në një luftë të pafund në Lindjen e Mesme,” thotë senatori Bernie Sanders.

Por, ndryshimi mes tre kandidatëve Clinton, Sanders dhe ish guvernatorit të Merilandit Martin O’Malley është në atë nëse duhet të jetë pjesë e strategjisë për mundjen e ISIS, rrëzimi i udhëheqësit sirian Bashar al-Assad.

Kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton bëri komentet më të ashpra ndaj kandidadit republikan Donald Trump, i cili kryeson anketat e fushatës republikane, duke e quajtur atë rekrutuesin më të mirë të Shtetit Islamik.

"Vija e parë e mbrojtjes kundër radikalizim është komuniteti amerikan mysliman, njerëz të cilët ne duhet t’i mirëpresim dhe me të cilët duhet të bashkëpunojmë. Jam shumë e shqetësuar se retorika që po vjen nga republikanët, veçanërisht nga Donald Trump, po dërgon një mesazh për myslimanët këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, se ka një përplasje të qytetërimeve dhe një lloj komploti perëndimor apo madje një luftë kundër Islamit, e cila unë besoj se më pas nxit radikalizimin".

Senatori Sanders u pyet për një ndërhyrje nga një anëtar i stafit të fushatës së tij në një listë të rëndësishme me të dhëna të votuesve të fushatës së zonjës Clinton, dhe kërkoi falje për këtë ndërhyrje.

"I kërkojë falje Sekretares Clinton dhe përkrahësve të fushatës sime dhe shpresoj se ne mund të punojnë së bashku me zonjën Clinton për të bërë një hetim të pavarur për këtë çështje. Ne nuk bëjmë një fushatë të këtij lloji. Në qoftë se dikush tjetër nga fushata ime është përfshirë në shkelje të tilla edhe ata do të pushohen nga puna".

Ish guvernatori i Merilendit, Martin O'Malley shprehu shqetësimin e tij në lidhje me shkeljen e sigurisë personale për hir të sigurisë kombëtare.

"Ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga privacia dhe liritë tona në këmbim të një premtimi për siguri. Duhet ta zgjidhim këtë çështje sëbashku. Kemi nevojë për një qasje të përbashkët dhe për udhëheqje të re. Mënyra se si funksionojnë gjërat në epokën moderne është në fakt mbledhja e njerëzve rreth tryezës për të zgjidhur problemet".

Sondazhet tregojnë për një mbështetje shumë të vogël për ish guvernatorin O'Malley, ndërsa ish-Sekretarja Clinton ka një epërsi të madhe ndaj senatorit Sanders.

XS
SM
MD
LG