Lidhje

Terrorizmi gjatë vitit 2015


Në javët që nga sulmet e 2 dhjetorit në San Bernardino, Presidenti amerikan Barak Obama ka folur drejtpërdrejt mbi shqetësimet e amerikanëve rreth çështjeve të terrorizmit dhe sigurisë kombëtare, ndërkohë që sondazhet tregojnë se mbështetja për punën e tij mbi këto çështje këtë vit ka rënë në nivelin më të ulët.

"Sonte, unë mund ta njoftojë popullin amerikan dhe botën se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një operacion në të cilin është vrarë Osama bin Ladeni, udhëheqës i al-Kaidës, dhe një terrorist i cili është përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, grave dhe fëmijët".

Një kapitull i luftës kundër terrorizmit po mbyllej duke i hapur Presidentit një kapitull tjetër tre vite më vonë.

"Bashkëqytetarë të mij amerikanë, sonte unë dua të flas me ju për atë që Shtetet e Bashkuara do të bëjnë me miqtë dhe aleatët tanë për të degraduar dhe përfundimisht shkatërruar grupin terrorist të njohur si ISIL".

Që nga fjalimi i shtatorit të vitit 2014, në të cilin u shpjegua strategjia amerikane kundër grupit militant Shteti Islamik, administrata e Presidentit Obama ka punuar për të frenuar atë që analisti Seth Jones i organizatës Rand Corporation thotë se është një kërcënim në rritje.

"Ata janë zgjeruar në Libi, Jemen, Somali, Afganistan, Pakistan dhe vende të tjera. Sot kemi më shumë xhihadistë, luftëtarë, dhunë dhe grupe se sa në çdo kohë tjetër historike".

Disa thonë se përdorimi nga presidenti Obama i dronëve, sulmeve ajrore, forcave speciale, dhe rritja e vigjilencës brenda vendit për t'iu kundërvënë kërcënimeve, veçanërisht pas sulmeve terroriste të 2 dhjetorit në San Bernardino, nuk janë të mjaftueshme.

"Ideja se ne mund të përballemi me ISIS-in pa një strategji më serioze ushtarake, dhe mund të merremi me Sirinë pa një strategji më serioze ushtarake, është jo-reale. Në qoftë se thoni se nuk do të përdorni forcën ushtarake atëherë ju i hiqni vetes mjetin më të rëndësishëm kundër këtij kërcënimi".

Bruce Jones, i institutit “Brookings” thotë se ai nuk po bën thirrje për një pushtim tokësor të Sirisë apo Irakut, që është hedhur poshtë nga Presidenti Obama, por një qëndrim më largëpamës që në fillim.

"Natyrisht ju mund të thoni çfarë të doni rreth asaj se çfarë duhet të ishte bërë, por unë mendoj se ne ende do të përballeshim me një sfidë shumë të vështirë dhe afat-gjatë", thotë Vikram Singh i Qendrës Amerikane për Përparim.

Për Presidentin Obama, kjo sfidë është manifestuar brenda vendit, ku ai ka kaluar ditët që nga sulmi në San Bernardino duke u përpjekur të bindë amerikanët se ata janë të sigurtë, pavarësisht se kërcënimet nga terrorizmi janë "reale" dhe kanë "evoluar në një fazë të re" përfshirë vetë-radikalizimin.

XS
SM
MD
LG