Lidhje

Drejtësia, Lu: Reforma largon të korruptuarit


Ambasadori amerikan mbron sërish paketën e propozimeve të ekspertëve, një ditë pas kritikave të shprehura nga ministri I Drejtësisë Manjani, kryeprokurori Llalla dhe opozita në parlament

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu, foli sërish sot për reformën në Drejtësi duke mbështetur projektin e propozimeve për ndryshimet kushtetuese të hartuar nga ekspertët. Një projekt, i cili sic tha ai duhet t’i nënshtrohet diskutimeve të gjera pas vlerësimeve paraprake të Komisionit të Venecias. Deklaratat e ambasadorit pasojnë zërat kritik mbi propozimet e deritanishme, si nga opozita ashtu dhe nga drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë.

Amb.Lu për reformën në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:36 0:00

Ambasadori amerikan në Tiranë tregoi një nga historitë e shumta të vendimeve gjyqësore në Shqipëri për të folur sërish për korrupsionin në sistemin e Drejtësisë shqiptare ku sic tha ai “të pasurit dhe të fortët e blejnë, ndërsa të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat”. Në një nga tryezat e konsultimeve për Reformën në Drejtësi, ambasadori amerikan ritheksoi dhe një herë mbështetjen e hapur ndaj paketës së propozimeve me ndryshime kushtetuese të hartuar nga ekspertët: “Ndryshe nga propozimet e mëparshme, ky propozim ofron një mekanizëm për të vlerësuar dhe larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ngre një sistem më të mirë për të disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen. Dhe ristrukturon funksionet e prokurorit të përgjithshëm për të nxitur më pak politizim. Ne bashkëndajmë pronësinë e këtij propozimi dhe e përkrahim atë fuqimisht”.

Deklarata e sotme e ambasadorit vjen një ditë pasi ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla shprehën haptazi rezerva ndaj ndërhyrjeve të parashikuara për rikonceptimin e organit të akuzës. “Nuk është reformë në Drejtësi nëse nga jashtë sistemit japim direktiva se si duhet të decentralizohet shërbimi apo të krijojmë skema të posacme. Nuk jam mbështetës i decentralizimit të Prokurorisë së një vendi me 2.8 milion banorë efektiv”, u shpreh ministri Manjani. Ndërsa për kryeprokurorin Adriatik Llalla "sistemi i Drejtësisë në vend ka nevojë për reformim, por marrja e iniciativës, dalja me konkluzione kaq të shpejta, pa u diskutuar me të gjithë elementët e faktorët që punojnë përditë në sistemin e Drejtësisë, në bindjen tonë ka qenë një veprim i nxituar”.

Mospajtim me propozimet e bëra ripërsëriti dje dhe opozita në parlament: “Paketa e Drejtësisë e hartuar në mënyrë të njëanshme dhe aspak gjithëpërfshirëse nuk na con drejt rezultatit që ne kërkojmë”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.

Por ambasadori Lu tha sot se pas vlerësimit paraprak të komisionit të Venecias, propozimet do t’i nënshtrohen debateve të gjera: “E dimë se propozimi i tanishëm i reformës duhet të përfshijë ndryshime të rëndësishme për të pasqyruar idetë më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorët, juristët dhe publiku i përgjithshëm. Ky proces ka filluar tashmë”.

Ambasadori amerikan nënvizoi se “reforma në drejtësi i jep Shqipërisë mundësinë për të pastruar sistemin nga ky kanceri i korrupsionit dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve, besimin se ata do të marrin drejtësi”.

XS
SM
MD
LG