Lidhje

Programi i Vizitorëve Ndërkombëtarë mbush 75 vjet


Për 75 vitet e fundit, udhëheqës dhe profesionistë të rinj nga e gjithë bota, kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara, për t’u njohur me kulturën, politikën dhe mënyrën e jetesës amerikane, falë Programit për Udhëheqje të Vizitorëve Ndërkombëtarë. Është një program shkëmbimi profesional organizuar nga Departamenti i Shtetit me synimin për të kultivuar marrëdhënie jetëgjata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Helena Djordjevic na njeh me këtë program.

Konsulenti argjentinas i biznesit, Ricardo Vanella mori pjesë në Programin e Vizitorëve Ndërkombëtarë në vitin 2010.

Ai është një nga 200 mijë udhëheqësit e ardhshëm të huaj që kanë viztuar Shtetet e Bashkuara që kur Presidenti Franklin D. Roosevelt e krijoi programin në vitin 1940.

Mbi 300 prej tyre, më pas janë bërë krerë shtetesh ose qeverish, përfshirë Margaret Thatchar, Nicholas Sarkozy dhe Felipe Calderon. Të tjerë janë bërë drejtues organizatash joqeveritare dhe të sektorit privat.

Jennifer Clinton drejton një organizatë jofitimprurëse, që menaxhon programin për Departamentin e Shtetit. Ajo thotë se dikur programi ishte tre muaj.

“Me kalimin e kohës është konsoliduar në një program trejavor, por ndikimi dhe përshtypjet që fitojnë pjesëmarrësit nga kjo përvojë, vazhdojnë të jenë shumë mbresëlënëse dhe ndryshojnë thellësisht mënyrën se si ata e shohin Amerikën, popullin dhe kulturën e saj”.

Biznesmeni francez Pascal Dupeyrat mori pjesë në program në vitin 2000, duke u përqendruar tek interneti dhe ekonomia. Amerika që pa ai ishte ndryshe nga ç’e kishte imagjinuar nga filmat dhe televizioni.

“Energjia që ndjeva në këtë vend, vërtet më ndryshoi jetën sepse pas programit, unë vendosa të ngre biznesin tim. Pra ishte një ndryshim I madh në jetën time personale”.

Pjesëmarrësit rrinë një javë më Uashington dhe dy javë në qytete të tjera.

Ricardo Vanella thotë se i ndryshoi mënyrën e të menduarit.

“Sepse takuam shumë njerëz, nga fusha të ndryshme. Do të thoja që pati ndikim edhe nga ana profesionale, pasi jo vetëm zgjerohet botëkuptimi por edhe rrjeti i kontakteve”.

Ndërsa programi festoon 75 vjetorin e tij, Jennifer Clinton thotë se financimi i tij nga Kongresi mund të përballet me vështirësi.

“Një nga prirjet që po prek Shtetet e Bashkuara, është se po ndodh një farë izolimi në mënyrën se si vendosim lidhje me botën, një fare frike nga angazhimi ndërkombëtar”.

Por ajo thotë se me shtimin e ndjenjave anti-amerikane në shumë vende, është më e rëndësishme që t’u krijohet njerëzve nga e gjithë bota mundësia për një përvojë direkte me amerikanët dhe jetën në Shtetet e Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG