Lidhje

Një ushtar amerikan vritet në Afganistan


Një ushtar amerikan u vra dhe dy të tjerë u plagosën sot gjatë luftimeve në provincën Helmand të Afganistanit, ku kohët e fundit luftëtarët talebanë kanë zgjeruar operacionet.

Zyrtarët e Pentagonit thanë se njësitë amerikane të forcave speciale kanë qenë përfshirë në një operacion pranë qytetit Marja, skenë luftimesh intensive javët e fundit.

Një helikopter u dërgua për evakuimin e të plagosurve, por nuk mund të ngrihet nga Marja, sepse një helikë goditi në murin e një kompleksi, i tha një zyrtar Zërit të Amerikës.

Një tjetër zyrtar amerikan, koloneli Michael Lawhorn, i tha Zërit të Amerikës se helikopteri "nuk u rrëzua."

Zjarri intensive me mortaja nuk lejoi një helikopter të dytë amerikan të ulej, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes.

Ndërkohë në Afganistanin lindor njoftohet për luftime të ashpra midis talebanëve dhe luftëtarëve të Shtetit Islamik, që kanë lënë dhjetëra të vrarë nga të dyja palët.

Policia afgane njoftoi sot për luftime në disa zona të largëta të provincës Nangarhar që kufizohet me Pakistanin. Luftimet filluan pas një ofensive të ndërmarrë dje nga qindra kryengritës talebanë kundër bazave të ISIS-it.

Ndërkohë, zyra e guvernatorit të provincës tha se forcat e sigurisë zunë pritë dhe vranë mbrëmë të paktën 15 luftëtarë të ISIS-it pranë zonës së konfliktit.

XS
SM
MD
LG