Lidhje

Drejtësi, opozita mungon në tryezën e ekspertëve

  • Armand Mero

Basha: Shumica u tërhoq nga kompromisi. Ekspertët drejt përfundimit të rishikimit të ndryshimeve kushtetuese. Propozime të reja nga ministri i Drejtësisë. Ambasadori amerikan Lu takon presidentin Nishani dhe kryeministrin Rama

Në Shqipëri ekspertët e opozitës nuk morën pjesë as sot në tryezën ku po rishikohen ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi shumicën se ishte tërhequr nga formula e kompromisit për të cilën ishte rënë dakort më parë. Nga ana tjetër, dy ekspertët e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani kanë dorëzuar mbrëmë disa propozime të reja, kur mbrëmja e sotme ëhstë përcaktuar si afati i fundit për të mbyllur projektin e rishikuar. Po sot ambasadori amerikan Donald Lu, pati një takim me presidentin Nishani, i cili në një intervistë për të përditshme "Panorama" kishte sulmuar ashpër të gjithë procesin e Reformës në Drejtësi.

Zhvillime të shumta ka patur gjatë ditës së sotme ndërsa grupi i ekspertëve për reformën në drejtësi, duhet të përmbyllë rishikimin e projektit me ndryshimet kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Përfaqësuesit e opozitës sërish nuk morën pjesë. Një ditë më parë ata u larguan duke akuzuar se nga ana e shumicës nuk u morën parasysh alternativat e propozuara prej tyre, kundër përzgjedhjes më tre të pestat e votave të anëtarëve të disa institucioneve të Drejtësisë nga ana e parlamentit. Opozita i referohet pikëpyetjeve të ngritura nga Komisioni i Venecias për këtë cështje, për të cilën sot u prononcua sërish dhe kryetari demokrat Lulzim Basha: “Në bazë të këtij rekomandimi të qartë, të zezë mbi të bardhë të Venecias, ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë u arrit një formulë kompromisi, e pas kësaj ekspertët e Edi Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar qartësisht me Edi Ramën. Të nesërmen, me rikthimin e ekspertëve në tryezën e punës ishte e qartë se vullneti i Edi Ramës ishte kapja e drejtësisë dhe jo reforma në drejtësi. U zhbë formula e kompromisit të së shtunës dhe me kokëfortësi u insistua në shumicën prej 3/5 që është shumica që disponohet nga dyshja Rama –Meta”, deklaroi kryetari I opozitës.

Por ndërkohë grupi i ekspertëve ka vijuar punën. Njëri prej tyre Sokol Sadushi tha se janë të gatshëm të diskutojnë mbi variantet e opozitës: “Nëse sjellin ne jemi gati. Por ne jemi drejt fundit dhe duhet ta mbyllim patjetër sot”.

Nesër Komisioni i posacëm parlamentar duhet të miratojë projektin e rishikuar në mënyrë që t’ja dërgojë Komisionit të Venecias, një grup ekspertësh të së cilit pritet të mbërrijnë javën e ardhshme në Tiranë.

Por ndërsa orët në dispozicion janë të pakta, në mënyrë të papritur, disa propozime të reja kanë mbërritur mbrëmë në tryezën e diskutimeve nga dy ekspertët e përzgjedhur nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Këto propozime janë të ndryshme në disa pika kyce të projektit të hartuar më parë nga ekspertët vendas dhe të huaj, dhe nuk dihet nëse ato janë bërë ose jo pjesë e diskutimeve.

Sot gjatë ditës, ambasadori amerikan Donald Lu u takua sot me presidentin Bujar Nishani, ku tema kryesore mësohet të ketë qenë pikërisht reforma në Drejtësi. Javën e shkuar presidenti kërkoi një tryezë të drejtuesve kryesorë politik të vendit, ndërsa sot në një intervistë për të përditshmen “Panorama” ai kritikon me nota të forta procesin e reformës. Sipas tij ai ishte “një proces i mbyllur, aspak profesional, i njëanshëm dhe pa asnjë objektiv të deklaruar qartë”. Presidenti është i mendimit se një vit e gjysëm punë e ekspertëve të huaj dhe vendas të angazhuar nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar ishte një kohë e cila “shkoi dëm. Komisioni i Venecias e rrëzoi të gjithë themelin e asaj që ishte shkruar dhe palët u ulën të nisin nga pika zero”, shprehet zoti Nishani, I cili shkon më tej kur hedh dyshime se shumica mund të kërkojë të korruptojë deputetë të opozitës për të garantuar votat e nevojshme për miratimin e reformës.

Mbi takimin mes presidentit Nishani dhe ambasadorit amerikan nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar. Ndërkohë që pasdite, diplomati amerikan është takuar dhe me kryeministrin Edi Rama. Ambasadori Lu ka qenë një mbështetës i fortë i procesit të reformës, ndërsa në mënyrë të përsëritur ka nënvizuar publikisht se projekti i ndryshimeve kushtetuese mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe se ekspertët e saj dhe të Bashkimit europian janë pjesë e hartimit të këtyre ndryshimeve. Madje ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara bashkëndajnë pronësinë mbi projektin e hartuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG